"E bëra zgjedhjen e duhur", Flori Spahijaj e ka rikthyer formën ideale te Vjosa, synon të shkëlqejë edhe te Prishtina - Gazeta Express
string(113) "e-bera-zgjedhjen-e-duhur-flori-spahijaj-e-ka-rikthyer-formen-ideale-te-vjosa-synon-te-shkelqeje-edhe-te-prishtina"

Futboll

Gazeta Express

04/11/2025 9:01

“E bëra zgjedhjen e duhur”, Flori Spahijaj e ka rikthyer formën ideale te Vjosa, synon të shkëlqejë edhe te Prishtina

Futboll

Gazeta Express

04/11/2025 9:01

Futbollisti shkodran, Flori Spahijaj, po kalon një periudhë pozitive te Vjosa ku është i huazuar nga FC Prishtinë, ku është ambientuar shpejt dhe po gjen hap pas hapi ritmin e duhur pas një lëndimi që e kishte mbajtur disa kohë jashtë fushave.

Në një prononcim për Gazetën Express, ish-mbrojtësi i Vllaznisë foli për përshtatjen e tij në klubin kosovar, të ardhmen dhe lidhjen e veçantë me klubin kryeqytetas.

“Te Vjosa mendoj se jam ambientuar shumë mirë me shokët e ekipit, stafin teknik dhe ambientin aty. Është një ekip që u plotësua pak para fillimit të ligës, por pavarësisht pozicionit në renditje, mendoj se Vjosa me lojën në rritje javët e fundit do të fillojë edhe serinë e rezultateve pozitive. Jam shumë i kënaqur me aktivizimin sepse vija nga një dëmtim dhe ajo që kisha më shumë nevojë ishte të luaja në formacion”, tha Spahijaj.

Mbrojtësi që ka mbajtur edhe fanellën e Kombëtares shqiptare të moshave tregon se për momentin është plotësisht i përqendruar te projekti i Vjosës, por nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi te Prishtina në muajt e ardhshëm.

“Për momentin jam i fokusuar tek Vjosa. Pastaj kemi kohë deri në dhjetor për të diskutuar për rikthimin te ekipi i Prishtinës,” – shtoi ai.

Edhe pse kishte disa alternativa nga Superliga Shqiptare, mes të cilave edhe interesime nga Dinamo City e Ilir Dajës dhe nga Partizani, Spahijaj vendosi që të vazhdojë aventurën në Kosovë, duke e quajtur këtë zgjedhjen e duhur për fazën aktuale të karrierës.

“Të them të drejtën, dëshira ime ishte që të ndryshoja ambient, edhe pse kisha oferta nga Superliga Shqiptare. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur”, deklaroi ai.

Në fund, 22-vjeçari nuk e fsheh lidhjen emocionale me Prishtinën, klub që e cilëson si simbol të futbollit kosovar dhe që ka një nga bazat më të forta të tifozëve në rajon:

“Çdo futbollist ka si synim që të bëjë më të mirën për ekipin që luan. Dua të jap maksimumin sot për Vjosën, e nesër kur të rikthehem te Prishtina, që është ekipi me më shumë histori në Kosovë dhe ka ndër tifozët më të zjarrtë në gjithë rajonin.”