Kalakulla, prefekti i Mosulit dhe kryebashkiaku i Tiranës që vdiq në mjerim. Historia e panjohur e mikut të ngushtë të Ataturkut - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

13/12/2019 9:32

Kalakulla, prefekti i Mosulit dhe kryebashkiaku i Tiranës që vdiq në mjerim. Historia e panjohur e mikut të ngushtë të Ataturkut

Ballina

Gazeta Express

13/12/2019 9:32

Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte historia e panjohur e Rasim Kalakullës me origjinë nga Libohova, i cili u diplomua në rezultate të larta për Shkencat Politike në Universitetin e Stambollit, ku në shenjë mirënjohje rektori i dhuroi atij sahatin e dorës që familja e tij e ruan edhe sot si një relike me vlera të mëdha.

Miqësia e tij e ngushtë me Mustafa Qemal Ataturkun i cili i ofroi “vëllait të tij shqiptar” të punonte në administratën shtetërore të Stambollit dhe refuzimi nga Kalakulla pasi kishte vendosur të kthehej në atdhe për të kontribuar në formimin e shtetit të ri shqiptar.

Pasi kishte shërbyer për disa vite si nënprefekt në Anadoll dhe Prefekt i Mosulit në Irak, ai u kthye në Shqipëri dhe u emërua me detyrën e prefektit të Shkodrës e kryetar i Bashkisë së Tiranës ku dhe ndërroi jetë në 29 tetorin e ‘38-ës duke lënë bashkëshorten me shtatë fëmijë në mjerim të plotë dhe në një shtëpi me qera.

Gjë e cila e detyroi Mbretin Zog për t’i bërë një ceremoni madhështore varrimi, ku morën pjesë shumë politikanë të lartë dhe qindra banorë të Tiranës, ndërsa regjimi komunist jo vetëm që nuk e vlerësoi kurrë si fanolist, por ia persekutoi familjen dhe ia dënoi të birin, Uranin, me 21 vite burg politik.

Ka qenë 29 tetori i vitit 1938, kur në sheshin përpara xhamisë së vjetër të Tiranës, sipas porosisë së Mbretit Zog, nën tingujt e bandës muzikore të qytetit dhe me të gjitha nderimet e rastit, u organizua ceremonia madhështore e varrimit të Rasim Kalakullës, ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili kishte shërbyer për disa vite në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit. Atë ditë, si rrallë ndonjëherë, në ceremoninë mortore që organizohej nga shteti, morën pjesë një numër i madh personalitetesh të politikës, administratës mbretërore dhe banorë të Tiranës. Po kush ishte Rasim Kalakulla, cila ishte e kaluara e tij dhe përse ai po përcillej për në banesën e fundit me aq pompozitet?

Diplomohet në Stamboll për Shkenca Politike

Rasim Kalakulla u lind në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1885, ku babai i tij, Sejdiu, ishte një tregtar i vogël, që zhvillonte aktivitetin e tij brenda në qytet, duke fituar aq sa për të mbajtur me bukë familjen. Rasimi u shkollua në një Mejtep (shkolla fillore turke) të Gjirokastrës, e më pas në qytetin e Manastirit në një Mylqije (shkollë e mesme), të cilën e mbaroi me rezultate shumë të larta  rreth vitit 1902. Më pas, babai i tij, Sejdiu, e dërgoi për të studiuar në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane në Stamboll, ku Rasimi u regjistrua dhe filloi mësimet në Fakultetin e Shkencave Politike. Gjatë atyre viteve ai ndiqte me vëmendje politikën ballkanike e situatën në të cilën ndodhej Shqipëria. Rasimi ishte një simpatizant i lëvizjes xhonturke me iluzione (si shumë idealistë të tjerë shqiptarë të asaj kohe), duke besuar në reformat e programin e tyre liberal-demokrat. Në atë kohë, në Stamboll kishte një numër të madh patriotësh shqiptarë, që ia kishin kushtuar jetën çështjes kombëtare, si publicisti i njohur Shahin Kolonja, vëllezërit Çerçiz e Bajo Topulli etj., me të cilët Rasimi pati një lidhje e bashkëpunim të ngushtë.

Rektori i universitetit i dhuroi orën e dorës si student i shkëlqyer

Rasim Kalakullua u diplomua me rezultate të larta duke u dalluar nga studentët e tjerë, që ishin prej shteteve të ndryshme të botës dhe në ceremoninë e dorëzimit të diplomave, rektori i universitetit, që ishte një arab, në shenjë mirënjohje dhe kujtimi i dorëzoi studentit shqiptar, Kalakulla, sahatin e tij të dorës. Edhe sot, pas gati një shekulli, ai sahat ruhet ende nga familja e tij, si një nga reliket më të vyera që ka ajo shtëpi. Gjatë periudhës së studimeve në Stamboll, Rasimi bashkëpunoi ngushtë me shumë patriotë shqiptarë, si Shahin Kolonja, vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli etj. Sipas porosive të tyre, herë pas here ai merrte në mënyrë klandestine abetare dhe libra shqipe, të cilat shtypeshin në mënyrë të fshehtë në kryeqëndrën e Perandorisë Turke dhe i sillte ato në Gjirokastër. Shpeshherë në atë aventurë të përhapjes së librave shqip, e cila ishte e ndaluar në mënyrë kategorike me dekret të veçantë nga Porta e Lartë, Rasimi pati një ndihmë shumë të madhe dhe nga e motra e tij, Sabrija, që i shpërndante ato lagjeve të Gjirokastrës. Edhe pse Rasimi nuk banonte në Sofje, ai ishte anëtar i shoqërisë patriotike të kolonisë shqiptare të Bullgarisë, duke përmbushur të gjitha detyrat që i caktoheshin në përhapjen e librave shqip.

Refuzoi ofertën e Ataturkut për në administratën e Stambollit

Fillimi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, e gjeti Rasimin me detyrën e nënprefektit të Konjës në Anadoll dhe po atë vit, me dekret të Portës së Lartë, ai u emërua si prefekt i shkallës së parë (Mytesarif) në qytetin e Mosulit në Irak. Aty ai u caktua me detyrën e shefit të prapavijës në frontin e luftimeve turko-angleze, ku britanikët përpiqeshin për të pushtuar Irakun, që asokohe ishte nën Perandorinë Osmane. Në këto luftime ishte komandant fronti Mustafa Qemali,(Ataturku) me të cilin Rasimi lidhi një miqësi të ngushtë. Kjo miqësi ndërmjet tyre si bashkatdhetarë (Mustafa Qemali e shprehte origjinën e tij shqiptare) ishte aq e madhe, sa që kur ai u bë kryetar i shtetit turk, i dërgoi fjalë Rasimit nëpërmjet shtypit, duke e ftuar atë që t’i jepte një post të lartë në administratën e porsakrijuar të shtetit turk. Kjo ofertë e Ataturkut nuk u pranua nga Kalakulla, i cili kishte vendosur për t’u kthyer përgjithmonë në Shqipëri. Ndarja në mes Rasimit e Mustafa Qemalit ndodhi në atë kohë kur ushtria turke, në frontin që komandohej nga Mustafai, u thye nga anglezët. Pas kësaj, Mustafa Qemali shkoi në Stamboll për riorganizimin e forcave ushtarake, por në atë të kohë, Rasimi u kthye në Shqipëri e nuk vajti më në Mosul.

Kthehet në Shqipëri, nënprefekt në Pogradec

Aty nga fundi i vitit 1918-të, Rasimi u largua nga Turqia dhe u kthye në Shqipëri, ku menjëherë administrata shtetërore, që ishte nën kontrollin austro-hungarez, e caktoi me detyrën e nënprefektit të Pogradecit. Largimi i tij nga Turqia, megjithëse i premtuan poste të larta në administratën vendore, ndodhi sepse ai besonte në idealet e veta për krijimin e një shteti të ri shqiptar. Pas disa kohësh në detyrën e nënprefektit në qytetin buzë liqenit, ai transferohet që andej dhe emërohet në Libohovë e Konispol, po me të njëjtën detyrë. Pas afro katër vitesh pune në detyrën e nënprefektit të Pogradecit, Libohovës e Konispolit, në viti 1922, me kërkesën e vetë ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogu, Rasimi erdhi në Tiranë, ku e emëruan në detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë atyre viteve, që Rasimi punoi në atë detyrë, falë njohjes së disa gjuhëve të huaja (turqisht, gjermanisht, frëngjisht, arabisht e persisht) bëri një punë të madhe në hartimin përpilimin e kodeve dhe ligjeve të së drejtës administrative të asaj ministrie, të cilat dërgoheshin për miratim në Parlament. Në vitin 1924, gjatë kryengritjes së armatosur të forcave fanoliste, ndonëse nuk mori pjesë aktive, Kalakulla ishte simpatizant i tyre në përmbysjen me dhunë, që ato forca i bënë qeverisë së Shefqet Vërlacit, ku Ahmet Zogu mbante postin e Ministrit të Brendshëm. Në kujtimet e veta, Rasimi ka shkruar se bashkimi me forcat fanoliste erdhi si rezultat i simpatisë që ai kishte për Fan Nolin e pasuesit e tij dhe nga propaganda që ata bënin me parullat demokratike, të cilat ai i parapëlqente shumë. Nisur nga qëndrimi që Rasimi mbajti ndaj forcave fanoliste gjatë Kryengritjes së Qershorit të 1924-ës, ai mundi që të qëndrojë përsëri në postin që kishte në Ministrinë e Brendshme. Por dhe ndaj qeverisë së Nolit e cili erdhi në fuqi me kryengritje të armatosur, Kalakulla mbajti një qëndrim kritik duke shprehu hapur rezervat e veta. Kështu, ai ngriti zërin, duke kritikuar qeverinë për mosrealizim të reformave demokratike të premtuara, për keqtrajtimet e persekucionet që iu bënë kundërshtarëve të tyre politikë, të cilët kishin bërë qëndresë në mbrojtje të Ahmet Zogut, për politikën e jashtme jo konsekuente dhe sidomos për lidhjen diplomatike që qeveria e Nolit bëri me Bashkimin Sovjetik e për rrëmujën administrative e mosrespektimin e normave juridike e shtetërore të administratës së qeverisë që erdhi në pushtet.

Fanolist, Zogu e emëron prefekt në Shkodër

Pas dështimit të qeverisjes së Fan Nolit dhe rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet në dhjetorin e 1924-ës, Rasim Kalakulla u largua nga Tirana dhe u vendos familjarisht në qytetin e Durrësit. Ai nuk u largua nga Shqipëria si shumë antizogistë të tjerë, sepse nuk kishte marrë pjesë aktive në Kundërrevolucionin e Qershorit dhe mbi të nuk rëndonin faje që dënoheshin penalisht. Për dy vite që Rasimi qëndroi në qytetin bregdetar, ai u mor me punët e veta private për të mbajtur familjen. Në shtëpinë e tij, herë pas here strehonte shumë nga kundërshtarët politikë të Zogut, si Zenel Prodani e ndonjë tjetër, të cilët fshiheshin nga ndjekjet e forcave qeveritare, pasi nuk kishin pasur mundësi për t’u larguar jashtë vendit. Ndonëse kryeministri Ahmet Zogu e dinte fare mirë qëndrimin e Kalakullës në ngjarjet e qershorit të ‘24-ës dhe qenien e tij si Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme gjatë kohës së qeverisjes së Nolit, në vitin 1926 i bëri thirrje që të vinte në Tiranë e të merrte detyrën, pasi e kishte emëruar si prefekt të Shkodrës. Kalakulla e mirëpriti propozimin e Zogut dhe u paraqit menjëherë në detyrë në qytetin e Shkodrës, ku në atë kohë kishte nisur kryengritja e Dukagjinit kundra qeverisë së Zogut, (e nxitur nga qeveria serbe e Pashiqit), që udhëhiqej nga Dom Nikoll Gazulli dhe togeri Ndok Gjeloshi. Në detyrën e prefektit të Shkodrës, Rasim Kalakulla pati konflikte të herëpashershme me ministrin e Brendshëm, Musa Juka, një nga njerëzit më besnikë të Mbretit Zog, pasi ai shpeshherë i kundërshtonte urdhrat e ministrit të tij, të cilat kishin të bënin me sekuestrimin e pronave të kundërshtarëve politikë të Zogut, që kishin marrë pjesë në ngjarjet e qershorit të 1924-ës dhe ishin arratisur nga Shqipëria. Siç ishte Xhemal Bushati, njeriu që mbajti postin e ministrit të Brendshëm në gjashtë muajt e qeverisjes së Nolit. Nga kundërshtimi që i bënte Kalakulla urdhrave të ministrit Juka, të cilat i quante të padrejta dhe të pabazuara në ligj, disa herë u pushua nga puna prej tij, por riemërohej përsëri në atë detyrë sapo ankohej te Zogu, i cili në atë konflikt i jepte të drejtë prefektit të Shkodrës.

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Duke qenë se konflikti në mes Kalakullës dhe Ministrit të Brendshëm, Musa Juka erdhi duke u acaruar shumë, në vitin 1927 Zogu e transferoi Rasimin për në Tiranë, duke i dhënë postin e nënprefektit të kryeqytetit, (prefekt ishte Izet Dibra) dhe një vit më vonë, në 1928-ën, ai emërohet si kryetar i Bashkisë së Tiranës, post të cilin e mbajti për tre vite me radhë, deri në 1930-ën. Gjatë asaj kohe që Kalakulla ishte në funksionin e kryebashkiakut të Tiranës, ai dha një ndihmesë të madhe në realizimin e projekteve, ndërtimit të rrugës së Kavajës (asokohe quhej bulevardi “Musolini”) dhe bulevardit kryesor nga qendra e deri te materniteti, i cili mori emrin “Zogu i Parë”. Po kështu, gjatë kësaj kohe, në kryeqytetin shqiptar, me ndihmën e arkitektëve italianë filluan të bëheshin projektet e para për planet rregulluese të rrugëve e shesheve kryesore, të cilat do të ndërtoheshin deri nga fundi i viteve ’30-të. Rasim Kalakulla qëndroi në krye të Bashkisë së Tiranës deri nga viti 1930-të, kur u largua që andej dhe u emërua si anëtar në Këshillin e Lartë të Shtetit (Senati), detyrë të cilën e mbajti deri në fundin e jetës tij, në tetorin e vitit 1938. Gjatë gjithë periudhës që Rasimi ishte në Tiranë, si me detyrën e kryetarit të Bashkisë, ashtu dhe me atë të anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit, ai punoi me një devocion e profesionalizëm të lartë, duke ngjalluar respekt te gjithë klasa politike shqiptare e kohës, e cila e vlerësonte shumë, sidomos për ndershmërinë e tij. Ndonëse qëndroi për afro dhjetë vjet në Tiranë në funksione të larta, ai kurrë nuk arriti që të kishte asnjë pronë të tijën. Po kështu, gjatë atyre dhjetë viteve, ai nuk arriti kurrë që të kishte një shtëpi të vetën, por jetoi përherë si qiraxhi nëpër shtëpitë e vjetra tiranase me qerpiç, pasi nuk kishte mundësi të paguante. Edhe një truall të vogël që ai arriti t’ia blejë qeverisë me këste, kur administrata shtetërore shiti troje për punonjësit e saj (aty ku sot është hotel “Rogner”) nuk arriti kurrë të ndërtojë një shtëpi. Atë truall ai nuk pranoi që t’ia jepte as edhe një shoqërie ndërtimi italiane, e cila e donte për ndërtimin e një pallati, duke menduar që të mos përfitonin italianët në kurriz të shqiptarëve të varfër.

Vdes në mjerim në 1938-ën

Rasim Kalakulla ndërroi jetë nga një atak kardiak më 28 tetor të vitit 1938 dhe vdekja e tij ishte një katastrofë e vërtetë për familjen, pasi gruaja mbeti e ve me shtatë fëmijë jo shumë të rritur, duke mos pasur as shtëpi dhe asnjë të ardhur financiare për jetesë. Atë ditë që ai ndërroi jetë, në arkën e familjes nuk kishte të ardhura as për varrimin e tij dhe as sa për të kaluar muajin. Me gjithë pengesat që nxori ministri Musa Juka për varrimin e tij, me porosi direkte të Mbretit Zog, u formua një komision qeveritar, i cili organizoi të gjithë ceremoninë mortore me nderet e duhura. Ceremonia e varrimit të tij filloi me procesion ushtarak, përpara sheshit të xhamisë në qendër të Tiranës, ku morën pjesë një numër i madh njerëzish nga politikanët e administrata shtetërore, siç ishin: Mirash Ivanaj, kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, Mit`hat e Mehdi Frashëri, Rauf Fico, Eshref Frashëri, Demir Vila, Kristo Floqi etj. Fjalën e rastit në ceremoninë mortore e mbajti Mirash Ivanaj, fjalë e cila u botua së bashku me nekrologjinë përkatëse në gazetën proqeveritare “Shtypi”. Edhe pas ardhjes në fuqi të komunistëve në nëntorin e 1944-ës, familja Kalakulla u zhyt më thellë në mjerim, pasi u quajt familje reaksionare e klasave të përmbysura. Njëri nga djemtë e Rasimit, Uran Kalakulla, vuajti për 21 vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi në vitin 1961 ishte akuzuar si kryetar i një grupi që kishin dashur të formonin një parti social-demokrate./Memorie.al

20191213_010243
20191213_010501
B2PlM66CcAErMDn
gjirokastra-online-old-e1519815238651
Origin-of-Name-tirana
URAN_KALAKULA_LIBRI_BURGOSU
URAN_KALAKULA_PORTRET