Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoni. Kallas është në një turne tre-ditor në Ballkanin Perëndimor.
Pritet që Kallas dhe Mickoski të bisedojnë për integrimin evropian të vendit dhe të konfirmohet përkushtimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Siç informojnë nga Delegacioni i BE-së në vend, gjatë vizitës Kallas do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe anëtarët e Qeverisë, pas së cilës do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin në ndërtesën e Qeverisë. Më vonë, së bashku me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti, Timço Mucunski, dhe ministrin e Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, Kallas do të marrë pjesë në hapjen e dialogut për siguri dhe mbrojtje ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë, në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje të nënshkruar në nëntor të vitit 2024, i cili do të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme në orën 14:00.
Ky dialog, siç informojnë nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti, paraqet një hap të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, si dhe në integrimin e vendit.
Kallas gjithashtu do ta vizitojë selinë e Forcës Mjekësore të dedikuar Ballkanike në kazermën “Ilinden”, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Misajllovski.
Vizita e Kallas pritet të përfundojë në “Europe House”, ku do të takohet me një grup të të rinjve.
Më herët, përfaqësuesja e lartë e Komisionit Evropian për politikë të jashtme qëndroi në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërsa para se të vinte në Shkup, ajo ishte në Beograd dhe në Prishtinë.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...