Kafkaland - pesha e një mashtrimi kolektiv - Gazeta Express
string(40) "kafkaland-pesha-e-nje-mashtrimi-kolektiv"

OP/ED

Gazeta Express

15/07/2025 9:54

Kafkaland – pesha e një mashtrimi kolektiv

OP/ED

Gazeta Express

15/07/2025 9:54

Në Kosovë, lufta u bë bursë, dosjet u bënë fantazi shkencore. 37 mijë “veteranë”, 6.15 milionë €/muaj, dhe asnjë moral. UÇK-ja e vërtetë? Mbeti në tokë. E rrena bën selfie me shtetin. 

Fadil Sahiti

Dje, në një gjykatë në Kosovë ndodhi diçka madhështore: drejtësia lëvizi. Po, u dha një vendim për disa burra që, nën uniformën e lavdisë, kishin prodhuar heronj si biskota në një furrë industriale. Rreth 25 mijë copë heroizëm të konservuar, me vulë, me datë skadence. Vendimi? Disa vite burg, shumë përjashtime, asnjë reflektim. Absurdi u ul në bankën e të akuzuarve me kravatë dhe certifikatë invaliditeti moral.

Po si ndodhi kjo? Si arritëm në një realitet ku veteranët janë më të shumtë se ushtarët, ku heroizmi është formë punësimi dhe lufta një dokument i aplikueshëm në administratë?

E thjeshtë: jemi në Kosovë. Më saktë, në Kafkaland. Në një vend ku dosjet lindin vetë, me ngjizje administrative; ku arkivat fryhen natën dhe shteti gdhin çdo mëngjes me më shumë legjenda se qytetarë.

Në Kosovë, nuk e humbasim realitetin – e zëvendësojmë. E modifikojmë, e printojmë në A4, e fusim në dosje ngjyrë të kaltër dhe e nisim për verifikim. Askush nuk di çfarë verifikohet, por të gjithë ndihen të verifikuar.

Në fund, të gjithë jemi “veteranë” të diçkaje. Të luftës. Të pritjes. Të heshtjes. Të rrenës.

Lufta u bë bursë, dosjet fantazi shkencore. 37 mijë “veteranë”. 6.15 milionë euro në muaj. Asnjë ndjenjë faji.

UÇK-ja e vërtetë? Mbeti në tokë. E paqena? Bën selfie me shtetin.

Ky shkrim nuk pretendon të bëjë drejtësi. As të gjykojë kënd. Është vetëm një gërvishtje në plazmën e përgjumur të një shoqërie që ka mësuar të jetojë me plagët – pa i shëruar, pa i pranuar.

Lista e veteranëve është Magna Carta e këtij realiteti. Një epikë e përmbysur ku heronjtë heshtin, mashtruesit mbajnë konferenca për shtyp dhe nganjëherë japin edhe verdikte gjyqësie. Sakrifica është kthyer në valutë. Mashtrimi ka zë në komisione.

Në këtë operetë burokratike, çdo dosje është një poezi e vogël e hipokrizisë. Në një zyrë të zverdhur nga tymi i duhanit, Kafka nuk shkruan më – ai pi kafe në një qoshe, i pavërejtur, i heshtur, si një mëkat për të cilin askush nuk pendohet. Ai nuk pyet më për kuptimin e sistemit. Ai është vetë sistemi.

Pranë tij, Kanti, ende me iluzione për etikën, lexon një formular. Në rubrikën “Kontributi në luftë” dikush ka shkruar: “Kam qenë i pranishëm shpirtërisht.” Sekretarja konfirmon: “Edhe ai është në listë. Ka qenë komandant në sektorin e etikës strategjike. Gradë: nënkolonel i ndërgjegjes.”

Mos kërkoni logjikë. Në këtë shtet, morali është një teori konspirative. Drejtësia? Një aparat fotokopjeje që bën zhurmë, por nuk printon asgjë. Shteti është ai vend ku një djalosh që shijonte mojito në Antalia në verën e ’99-ës, sot mban medalje për trimëri. Dhe kërkon pension për “pjesëmarrje të drejtpërdrejtë me mendje dhe zemër.”

Kafka nuk çuditet. Ai e di: këtu, absurdi nuk është devijim. Është protokoll. Është kushtetutë.
Kush nuk është në listë, është fajtor. Kush është, është hero. Kush pyet, është tradhtar. Ose, së paku, keqdashës dhe kundërshtar i Republikës.

Dikush kërkon shifrat. Heshtje. Sepse këtu nuk matet thjesht numri i njerëzve – matet pesha e një mashtrimi kolektiv. Dikushi ngul këmbë. Mirë.
36,950 “veteranë”. 6.1 milion euro çdo muaj. Po, 37 mijë luftëtarë. Ndërkohë, vetë komandanti ka thënë se në luftë nuk ishin më shumë se 12 mijë.

Dhe kështu, lista imagjinare u bë normë. Luftëtarët e vërtetë do të merrnin mbi katërqind euro – mjaftueshëm për të mos zgjedhur mes bukës dhe barnave. Por në vend të dinjitetit, absurdi u shpërnda në racione të barabarta.

Në këtë ambient të përzishëm të mashtrimit të normalizuar, Kanti kërkon moralin universal. Kafka thotë se është vonë. Njëri beson ende te ndërgjegjja. Tjetri vetëm te ironia. Të dy janë të pashpresë.

Dhe kështu, Kosova sheh veten në pasqyrë dhe qesh. Jo se është qesharake. Por sepse është vonë për të qarë.

UÇK-ja e vërtetë mbeti në tokë. Ajo e rreme kontrollon tenderët, votat, buxhetet. Një ditë do të kemi edhe një muze virtual, me holograme që aplikojnë për pension dhe shpërndajnë flamuj digjitalë.

Në këtë vend, të gjithë jemi “veteranë”. Disa të luftës. Shumica të gënjeshtrës. Njëri për një banesë, tjetri për një vend pune, një për një gradë shkencore të blerë, një tjetër për një tender. Dhe të gjithë tregojmë me gisht – secili i bindur se është më pak mashtrues se tjetri.

Mirësevini në Republikën e Kafkalandit. S’na duhet tribunal. Mjafton një pasqyrë.

/Autori është profesor – RIT (AUK) – në fushën e Menaxhmentit dhe Zhvillimit Industrial.