Profesori Mustafë Kadrijaj, duke komentuar këto të dhëna, ka thënë se qytetarët po i prishin të gjitha formulat ekonomike – në njërën anë ankohen dhe ankesat janë reale, e në anën tjetër nuk protestojnë për ngritjen e çmimeve.
“Nëse i marrim për bazë këto të dhëna, të cilat janë shumë shqetësuese për jetesën e qytetarëve, dhe në anën tjetër kriza e rritjes së çmimeve në vend po zgjat për një kohë të gjatë, kjo tregon se qeveria, duke mos marrë asnjë veprim, po teston durimin e qytetarëve. Mosreagimi qytetar tregon se, për fat të keq, jemi bërë imun ndaj rritjes së çmimeve. Shifra prej 79% tregon se nuk ka ku shkon më shumë mospërballja e qytetarëve me çmimet aktuale”, ka shtuar Kadrijaj.
Sipas tij, vendi ynë është përballur edhe me krizë të importuar, edhe me krizë të brendshme për shkak të mungesës së prodhimit vendor, gjë që ka rënduar në masë të madhe jetën e qytetarëve me çmimet e ngritura.
“Po të kishim prodhim tonin më shumë, do të ishte amortizuar sadopak inflacioni i importuar së bashku me prodhimet e huaja. Kriza ekonomike është bërë edhe më e madhe në mungesë të politikave konkrete nga qeveria e deritanishme. Në fakt, mosveprimi i tyre apo marrja e vendimeve të gabuara vetëm sa ka rritur krizën ekonomike në vend”, ka thënë Kadrijaj.
Ai me ironi ka krahasuar veprimet qeveritare me violinën e Nastradinit, duke thënë se pak më vonë do të dëgjojmë dhe përjetojmë tingujt e saj, të cilët me shumë gjasë do ta ngulfasin edhe më shumë ekonominë.