Kadrijaj: AAK s’voton fshehur, strategji e Vetëvendosjes të luajë me emra e numra - Gazeta Express
string(78) "kadrijaj-aak-svoton-fshehur-strategji-e-vetevendosjes-te-luaje-me-emra-e-numra"

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 11:38

Kadrijaj: AAK s’voton fshehur, strategji e Vetëvendosjes të luajë me emra e numra

Lajme

Gazeta Express

21/06/2025 11:38

 Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po abuzon me të drejtën kushtetuese si partia e parë për propozim të kryeparlamentarit, duke shtuar se s’ka fare angazhim për sigurim të votave të mjaftueshme për kandidaten e propozuar, Albulena Haxhiu.

“Nuk e shohim fare angazhimin e Vetëvendosjes për sigurimin e 61 votave për kryeparlamentaren. Dhe po shihet qartë një abuzim e një të drejte që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, ajo e drejtë është që iu ka dhënë partisë së parë për nominim të kryeparlamentarit. Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën Lëvizja Vetëvendosje”.

 Kadrijaj tha se Gjykata Kushtetuese mund të sjellë një vendim pasi partia e saj dorëzoi në këtë gjykatë çështjen e ndryshimit të mënyrës së votimit nga Vetëvendosje – nga e hapur në të fshehtë, por tha se AAK s’voton në formën e fshehtë.

“Aleanca ka ofruar alternativa, ne kemi thënë se do të votojmë ndonjë kandidat tjetër nëse nuk është kandidatja që është propozuar nga Vetëvendosje dhe këtë të drejtë ajo s’e ka shfrytëzuar. Gjykata Kushtetuese mund ta sjellë një vendim, por është legjitime që deputetët të votojnë ose mos të votojnë apo qoftë edhe formën sepse kjo zgjedhje e formës së votimit – nga ai i hapur në të mbyllur – ka qenë strategji e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Nëse Aleanca dëshiron të votojë, ne do të votojmë hapur dhe kemi dhënë qëndrime hapur. Kemi dhënë alternativa dhe kemi thënë që ka plot kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje që do t’i kishim votuar pa asnjë kusht. Nëse votojmë, votojmë hapur. As mbyllur as fshehur. Kjo është një strategji e Lëvizjes Vetëvendosje të luajë me numra me emra që e votoi ky ose ai deputet dhe kjo është e papranueshme”.

Kadrijaj shtoi se “mospërfitimet nga fondet e BE-së e ka emrin e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

Këtë koment ajo e bëri pasi dje Komisioni Europian lëshoi mjetet e para për Serbinë nga pakoja financiare Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kosova është vendi i vetëm në rajon që s’ka marrë ende paratë për shkak të mosformimit të institucioneve./Express/