Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili mban pozitën e deputetit edhe të kryeministrit në detyrë, ka vazhduar t’i etiketojë deputetët e ish-opozitës.
Duke folur pas dështimit në seancën e 34-të, Kurti i quajti ata “nomadë”, që sipas tij nuk po duan të kenë shtëpi.
“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.
Rreth kësaj deklarate ka reaguar deputetja e AAK-së Time Kadriaj.
Kadriaj tha për Klankosova se Kurti pasi i ka okupuar institucionet, s’i ka mbetur gjë tjetër veç të shajë deputetët e Kuvendit.
“Tash kur Kurti ka okupuar institucionet e shtetit dhe ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, s’i ka mbetur gjë tjetër veç të etiketojë dhe shajë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ajo
Kujtojmë se Kurti i ka quajtur “hajvana” partitë opozitare në orët e para të 10 shkurtit pasi kishte marrë vesh se dolën të parët.