Monolog i përgatitur për emisionin e fundit të Prizmës së transmetuar në T7, kushtuar Ismail Kadaresë
Nga Dritan Dragusha
Me ba rrëfimin. Me lanë dëshminë. Me ua thanë gjanat njerëzve që as vetes nuk ke guxim me ja tregue. M’i kërku falje njerëzimit dhe njëkohësisht me falenderu për tmerret që ja kemi shkaktu njani-tjetrit. Me i tregu të tjerëve rrugën që as vetë nuk i ke ra asnjëherë, por që beson fort se ajo është e duhura. Me këndu kangë vajtimi në ditë të festës, e me festu në ceremoni vdekjesh. Me i tregu botës se ke fjet më një gjarpër piton, e ke shpëtu. Me rrëfy dramën aq butësisht sa që me i thy edhe gurët e granitit. Tuj rrëfy me ndërtu kështjella e kala që i rrëxon për dhe vaji i një fëmije, por jo pushteti i një tiranie. Me rrëfy ndërgjegjen njerëzore të gravume në shpirtin e një diktature. Tuj rrëfy me ba letërsi t’përbotshme. Me lanë shkrimin si dëshmi, qoftë edhe për një dite të vetme, kur je ndi i pikëlluem ai i gëzuem, nuk ka lidhje. Thjesht, me ba letërsi do me thanë me ba fakt estetik, për një moment, për një kohë a për amshim.
Me rrëfy, jo duke hipur nëpër podiumet madhështore të hipokrizisë, as nga nervi i urrejtjes, por duke iu futur në gji natës së zezë futë me një letër të bardhë. Me i thur elegji të pavërejtëshmeve në këtë botë, e me i shpërfaq shtigjet e mjerimit tuj tregu rrast e gurve të një sokaku pa krye. Me ja tregu botës andrrat e atyre njerëzve që nuk guxonin me andrrue. Me i rrëfy njerëzimit se nër saraje të përbindshit rrnon një njeri me plot entuziazëm, dëshirë e vullnet për jetë.
Me i tregu njerëzimit se përveç ujit që vjen nga shiu, ulluqet bartin edhe shpresën se një ditë do të bredhim në detin e paanë. Me i tregu botës se këtu njerëzit shkëpusin mishërat nga trupi i tyre për me mbrri andej kah fryen fllad lirie. Përmes shkrimit m’i thanë edhe fjalët e fundit, ato fjalë që edhe vetë Zotit iu zunë në grykë. Pra, me ba rrëfimin një akt dëshmie, jo një aktakuzë, por me tregu se isha, pashë dhe rrëfeva. Ky ishte Ismail Kadare, i cili nëpërmes letërsisë shpalosi shpirtit e trazuar njerëzor, e që nëpërmes saj ndërtoi gjithënajën e identitetit shpirtror e kulturor të shqiparit.
/Gazeta Express