KADARE – NJË VIT PAS - Gazeta Express
string(18) "kadare-nje-vit-pas"

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 11:53

KADARE – NJË VIT PAS

Lajme

Gazeta Express

01/07/2025 11:53

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës.

Shkruan: Mehmet Kraja

Para një viti, lajmi për ikjen në amshim të Ismajl Kadaresë na tronditi, na bëri të ndiheshim disi të braktisur, të përfshirë në një ndjenjë humbjeje dhe zbrazësie që nuk do ta plotësonim aq lehtë. Kjo ndodhte ngase për të gjithë ne Kadare kishte marrë atributet jo të një miti, siç mund të thonë disa, por të një argumenti që na i bën të ditura, na i kujton dhe na i rikujton të vërtetat e amshueshme për qenësi të mëdha identitare dhe tej identitare. Kadare ishte personifikim, ishte simbol, i tillë do të mbetet deri skajet më të ladrgëta të memories sonë kolektive. Është e pamundur të ndryshohet ky imazh, sado kohë që të kalojë: Kadare është ai guri i qemerit që mban traun e shtëpisë së përbashkët.

Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë kishte një kuptim më specifik, sepse ai ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë për Kosovës në më shumë se 50 vitet e shkuara.

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare.

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një mase të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbi-ideologjike dhe tej-ideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe ndasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues.

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotsueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë politike dhe kulturore, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë pasur jehonë të madhe në opinion kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor kanë bërë që Kadare të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.