Kabashi: Për dy-tre muaj ndoshta ia dalim, më pas do të jetë vështirë - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

01/04/2020 14:06

Kabashi: Për dy-tre muaj ndoshta ia dalim, më pas do të jetë vështirë

Sport

Gazeta Express

01/04/2020 14:06

Presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi flet për gjendjen aktuale të klubit të tij, duke shpresuar që virusi COVID-19 të largohet sa më shpejtë, për t’u rikthyer normaliteti në futbollin kosovar

Ballkani është sot një klub model për klubet tjera kosovare, shkruan Gazeta Express.

Falë menaxhmentit të ri dhe riorganizimit të klubit therandas, ekipi Portokalli e ka dominuar këtë sezon në IPKO Superligën e Kosovës, duke shkuar me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit.

E pa dyshim, meritat më të mëdha për këtë i ka presidenti i klubit, Arsim Kabashi, i cili me kompaninë e tij “Cima Construction” ua ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme futbollistëve dhe stafit tjetër të klubit.

Mirëpo, rrugëtimin e suksesshëm të therandasve së fundmi e ndali në gjysmë koronavirusi, i cili e paralizoi tërësisht futbollin kosovar.

Kabashi, në një bisedë për “Gazetën Express” është shprehur se Ballkani qëndron mirë financiarisht, por shpreson që kjo periudhë e errët të mos zgjasë shumë, pasi me këtë rast do ta rrezikonte edhe këtë klub.

“Për dy apo tre muaj, ndoshta ia dalim. Por, nëse vazhdon më gjatë, do të jetë problem t’i përballojmë kësaj situate”, u shpreh Kabashi.

Drejtuesit e klubeve të tjera kosovare ndërkohë e kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth shpenzimeve që do t’i kenë, duke kërkuar ndihmë dhe përkrahje edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës. /Gazeta Express/