Juventus thuhet se i ka paraqitur një kërkesë Presidentit të FIGC-së (Federatës italiane), Gabriele Gravina, në përpjekje për të anuluar kartonin e kuq të Pierre Kalulu pas “Derby d’Italias” së diskutueshme mes Zonjës së Vjetër dhe rivalëve të Inter fundjavën e kaluar.
Inter fitoi derbin 3-2, por fitorja u zbeh nga vendimi kontrovers për të përjashtuar Kalulun në minutën e 42-të për karton të dytë të verdhë.
Francezi fillimisht ishte ndëshkuar me karton të verdhë për një faull ndaj Nicolò Barella, dhe më pas u përjashtua pas një faulli të pretenduar ndaj lojtarit të Interit, Alessandro Bastoni.
Megjithatë, pamjet e përsëritura treguan se Bastoni, i cili në atë moment kishte gjithashtu një karton të verdhë, kishte simuluar në përpjekje për ta nxjerrë kundërshtarin me të kuq dhe më pas u pa duke festuar me pasion kur Kalulu u përjashtua.
Shefi i gjyqtarëve, Gianluca Rocchi, ka pranuar që prej atëherë se ishte bërë një gabim, ndërsa Bastoni ka kërkuar falje për rolin e tij në këtë situatë.
Pavarësisht pranimit të gabimit nga Rocchi, mbrojtësi i Juventus ka marrë një pezullim prej një ndeshjeje, që e lë jashtë përballjes së së shtunës në Serie A kundër Como.
Problemi është bërë edhe më serioz për trajnerin Luciano Spalletti dhe skuadrën e tij, pasi Gleison Bremer është në dyshim të madh pas zëvendësimit në pjesën e parë në humbjen 5-2 të Juventusit në Ligën e Kampionëve kundër Galatasaray të martën në mbrëmje.
Sipas raportimeve nga “Sky Sport Italia” dhe “TMW”, Juventus ndoqi protokollin duke apeluar vendimin për kartonin e kuq të Kalulus në gjykatën sportive të apelit, por pa sukses.
Tani, sipas raportimeve të së premtes, Juventusi i është drejtuar drejtpërdrejt Presidentit të FIGC-së, Gravina, duke shpresuar për një falje nga njeriu në krye të futbollit italian.
Rasti i fundit kur Gravina dha një falje për një përjashtim ishte në vitin 2023, kur Romelu Lukaku mori karton të dytë të verdhë për reagimin e tij ndaj thirrjeve raciste dhe diskriminuese nga tifozët, sërish në një ndeshje mes Interit dhe Juventusit./GazetaExpress/