Juventusi e mposht Genoan, e vazhdon formën e lartë në ligë - Gazeta Express
string(58) "juventusi-e-mposht-genoan-e-vazhdon-formen-e-larte-ne-lige"

Juventusi e mposht Genoan, e vazhdon formën e lartë në ligë

Gazeta Express

30/06/2020 23:39

Juventusi e ka mundur lehtësisht 3:1 Genoan, duke e regjistruar fitoren e gjashtë radhazi në Serie A në përpjekje për ta mbrojtur titullin.

Paulo Dybala, Cristiano Ronaldo dhe Douglas Costa të gjithë e shënuan nga një gol të jashtëzakonshëm duke i ndihmuar Juventusit të fitojë në Luigi Ferraris të martën mbrëma, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Bardhezinjtë i grumbullojnë 72 pikë falë këtij triumfi dhe e ruajnë epërsinë prej katër pikëve ndaj përcjellësit të parë, Lazios, dhe shkojnë në 11 pikë më shumë se vendi i tretë, Interi.

Për Genoan, ndërkohë, kjo disfatë nënkupton komplikim gjërash në luftë për mbijetese, pasi skuadra e Valon Behramit renditet e 17-ta, me vetëm një pikë larg zonës së rënies nga liga.

Skuadra e Maurizio Sarrit e mbizotëroi plotësisht ekipin vendas në këtë takim por iu desh të priste gjatë për ta thyer akullin.

Dybala e kaloi Juven në epërsi në minutën e 50-të pas një veprimi fantastik individual në zonën vendore, para se Ronaldo ta dyfishonte epërsinë me një gol të jashtëzakonshëm nga largësia gjashtë minuta më vonë.

Costa, i futur në lojë në vend të Federico Bernardeschit, e vulosi fitoren e bardhezinjve më mbase golin e mbrëmjes, kur la të shtangur Mattia Perinin duke e dërguar topin në cepin e portës.

Një cerek para fundit, i riu Andrea Pinamonti shënoi për Genoan atë që ishte goli sa për të thënë. /Gazeta Express/