Juventusi po e vazhdon presingun ndaj Lillet për Edon Zhegrovën.
Drejtuesit e klubit Bardhezi e kanë veçuar profilin e yllit kosovar, të cilin e shohin zëvendësues ideal të Nico Gonzalez, i cili pritet të transferohet në Atletico Madrid.
Sipas mediumit italian “Corriere dello Sport”, mes së mërkurës dhe të enjtes janë paraparë kontakte të reja mes dy klubeve, përcjell “Gazeta Express”.
“Zonja e Vjetër” duket e gatshme ta prezantojë një ofertë zyrtare drejt klubit transalpin, e cila mund të sillet kah 20 milionë euro.
Me lojtarin, ndërkohë, thuhet se është arritur marrëveshja personale me një kontratë pesëvjeçare dhe me një rrogë vjetore prej 2,5 milionë eurosh.
Përfaqësuesi kosovar të dielën qëndroi në bankinë në sfidën kundër Monacos pas lëndimit që e kishte lënë jashtë fushës së blertë që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Gjendja e tij fizike mund të jetë e panjohur, por paraqitjet e sezonit të kaluar e bëjnë të mendojë Juventusin se mund ta bëjë një goditje të madhe për të ardhmen.
Ndërkohë, mediat franceze kanë raportuar se interesim për ish-futbollistin e Baselit ka shfaqur edhe Olympique Marseille në Francë, kurse interesimi i Napolit është zbehur ose është shuar krejtësisht tashmë. /Gazeta Express