Juventus ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me trajnerin Luciano Spalletti, duke i rinovuar kontratën dhe duke e mbajtur në krye të ekipit për një periudhë më të gjatë.
Në tetor të vitit të kaluar, klubi e kishte emëruar Spallettin si trajner të përkohshëm deri në fund të sezonit, pas largimit të kroatit Igor Tudor. Ndërsa të premten, bardhezinjtë konfirmuan se ai ka firmosur një marrëveshje të re që zgjat deri më 30 qershor 2028.
Drejtori ekzekutiv i Juventusit, Damian Comolli, u shpreh: “Jemi shumë të lumtur që kemi zgjatur kontratën e Lucianos edhe për dy sezone të tjera. Që nga momenti kur iu bashkua familjes së Juventusit, ai ka pasur një ndikim të menjëhershëm dhe jashtëzakonisht pozitiv te lojtarët, klubi dhe tifozët. Që në fillim ishte e qartë se ai është personi i duhur për të udhëhequr ekipin drejt zhvillimit dhe rritjes.”
Ai shtoi se stili ambicioz i lojës që aplikon Spalletti përputhet me aspiratat e klubit dhe tifozëve, ndërsa vlerat e tij pasqyrojnë identitetin e Juventusit. Sipas Comollit, vazhdimësia dhe stabiliteti janë thelbësore për suksesin në të ardhmen, prandaj klubi vendosi të vazhdojë bashkëpunimin me të.
First to know. Always the team.
— JuventusFC 🇬🇧🇺🇸 (@juventusfcen) April 10, 2026
Spalletti 2028 – it starts right here ⚪️⚫️ pic.twitter.com/plabGzGajv
Ndërkohë, raportimet në media sugjerojnë se paga bazë e Spallettit do të jetë rreth 5 milionë euro në vit, ndërsa me bonuse dhe shpërblime mund të arrijë deri në 6 milionë euro.
Në planin sportiv, Juventusi synon të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin 2026–2027. Aktualisht, ekipi renditet i pesti në Serie A me 57 pikë, vetëm një pikë larg vendit të katërt, që mban pozicionin e fundit kualifikues për kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube. /GazetaExpress/