Juria dhe programi i filmave të shkurtër të edicionit të ri të PriFest - Gazeta Express
string(70) "juria-dhe-programi-i-filmave-te-shkurter-te-edicionit-te-ri-te-prifest"

Arte

Gazeta Express

02/09/2025 14:36

Juria dhe programi i filmave të shkurtër të edicionit të ri të PriFest

Arte

Gazeta Express

02/09/2025 14:36

Juria e filmave të shkurtër e këtij viti bashkon një grup të jashtëzakonshëm profesionistësh të filmit, nga rajoni dhe Austria. Në anën tjetër PriFest këtë vit sjell një program shumë të pasur të filmave të shkurtër nga Evropa dhe bota, rrëfime të fuqishme që prekin faljen, rebelimin, intimitetin, dhe humbjen. Shtatë filma, të gjitha premiera në Kosovë, një premierë rajonale dhe një evropiane.

Juria e filmave të shkurtër:

Salma Abdalla- Aktualisht punon në Institutin e Filmit të Austrisë.

Ishte bashkëpronare dhe CEO e Autlook Filmsales, një agjenci me bazë në Vjenë. Ka qenë producente ekzekutive, mentor dhe anëtare jurie në festivale dhe ngjarje kryesore të industrisë, shërben si eksperte në producer lab EAVE dhe është anëtare e European Film Academy.

Fatmir Koçi- Studioi aktrim dhe regji filmi në Tiranë ku jeton dhe vepron. Ka shkruar dhe drejtuar filma dhe dokumentarë që janë përzgjedhur në festivalet më të njohura të filmit si Venecia, Kane, Roterdam, Stamboll, Selanik, Athinë, Montreal, Palm Springs, New York, Londër etj. Kinemaja e Koçit eksploron Shqipërinë bashkëkohore si dhe historinë e vendit, kulturën evropiane dhe mesdhetare.

Visare Aliu- është dramaturge, skenariste dhe stratege komunikimi nga Kosova. Aktualisht është Kryetare e Bordit në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ka qenë skenariste e “Familja Moderne”, TV sitcomi më i njohur në Kosovë. Përtej teatrit dhe televizionit, Visarja punon si senior Copywriter dhe Stratege Komunikimi në Koperativa, duke kombinuar kreativitetin me njohuritë strategjike në projekte kulturore dhe marketingu.

Gentian Koçi- I lindur në 1979 në Tiranë, bashkëthemeloi Artalb Film Productions. Ka drejtuar dhe prodhuar filma të vlerësuar të cilët janë shfaqur në festivale të rëndësishme ndërkombëtare me çmime të shumta si dhe vlerësime të larta nga Variety, Screen Daily, Hollywood Reporter, etj. DITA ZË FILL dhe NJË FILXHAN KAFE… ishin përzgjedhjet zyrtare të Shqipërisë për Oscars. Mori pjesë në programin Producers on the Move, mbajtur gjatë Festivalit të Kanës 2023.

Valmira Hyseni- është producente dhe regjisore nga Kosova. Është bashkëthemeluese dhe CEO e kompanisë Plan Bee Films. Anëtare e bordit në Shoqatën e Producentëve të Kosovës. Me mbi 10 vjet përvojë në industrinë e filmit, ka prodhuar dhjetëra filma të shkurtër, të gjatë dhe dokumentarë, me qindra seleksione në festivale si Toronto, San Sebastian, Kajro, Torino, Busan etj.

Programi garues i filmave të shkurtër:

ONE PUNCH – nga Huse Monfaradi, Mbretëria e Bashkuar/ Premierë Evropiane (10 minuta).

I vendosur kryesisht në dhomën e vizitave të një burgu në Midlands-in britanik, takojmë Jamin – një i burgosur i ri që ka marrë rrugë të gabuar – i cili vizitohet një pasdite të zymtë nga Zainab dhe Hasani, prindërit e djalit që ai e vrau gjatë një përleshjeje në rrugë.

ONE WOMAN FILM nga Anita Morina, Kosovë/ Premierë Rajonale (9 minuta).

Një vajzë që punon si cam girl vendos një kamerë për të regjistruar veten duke gatuar, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes performancës dhe intimitetit, teksa përballet me mendime të padëshiruara ndërkohë që pret të arrijë takimi i saj.

BARK – nga Branislav Milatović, Mali i Zi/ Premierë (16 minuta).

Babë e bir enden në një shkretëtirë të bardhë të mbuluar me borë…

BITTER CHOCOLATE – nga Sahar Sotoodeh, Iran/Gjermani / Premierë (20 minuta).

Yasi, një vajzë e vendosur, 16-vjeçare, ka mbërritur në Kryeqytet nga qyteti i saj i lindjes me pretekstin e testit IELTS, për të ndërprerë ilegalisht shtatzëninë e padëshiruar përpara se të jetë vonë.

MAJONEZË – nga Giulia Grandinetti, Itali/ Premierë (22 minuta).

Ersekë, Shqipëri. Elyria jeton me familjen e saj duke ndjekur rregullat e rrepta të vendosura nga babai i saj, duke fshehur zemërimin përmes bindjes.

THREE KEENINGS – nga Oliver McGoldrick, Mbretëria e Bashkuar/ Irlandë/ SHBA / Premierë (10 minuta).

Ian është një aktor që po has vështirësi dhe që e gjen veten në një rol të pazakontë, si vajtues profesionist.

THREE – nga Amie Song, SHBA/ Premierë (15 minuta).

Në një mbledhje në shtëpi, një grua kineze që sapo është shpërngulur në Shtetet e Bashkuara për të jetuar me vajzën e saj përpiqet të fshehë sekretet e vajzës nga miqtë e rinj.

PriFest do të mbahet nga 9 deri më 14 shtator në Kino Armata në Prishtinë.