Eksperti amerikan Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, deklaroi në një lidhje direkte me “Rretheqark” nga Rosalba Bejdo në A2CNN se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane nga KFOR-i do të ishte një gabim shumë i rëndë.
Eksperti amerikan vuri në dukje faktin se Presidenti Donald Trump është i paparashikueshme dhe një lëvizje e tillë nuk përjashtohet. Megjithatë, ai theksoi se një veprim i tillë do të ndikonte në paqëndrueshmërinë e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Nëse SHBA-të do të tërhiqeshin nga KFOR-i, do ishte një gabim shumë i rëndë dhe shpresoj që SHBA-ja të mos ta bëjë këtë veprim. Do të ishte një gabim shumë i rëndë dhe këtë e kam ngritur me zyrtarë të DASH dhe anëtarë të Kongresit. I kam shkruajtur edhe një letër sekretarit Rubio, duke i kërkuar administratës që të mos heqë trupat nga KFOR-i, por me Trump-in asnjëherë s’i dihet se çfarë do të bëjë, është shumë i paparashikueshëm. Është e mundur që ta bëjnë, por do të ishte një gabim i rëndë që SHBA-të ta bëjnë këtë dhe do të ftonin paqëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon”, tha Joseph.