Jose Mourinho duket se është vetëm një hap larg rikthimit të madh te Benfica, klubi ku nisi karrierën e tij si trajner më shumë se dy dekada më parë.
Sipas mediave portugeze, jo vetëm që marrëveshja mes palëve është drejt finalizimit, por edhe përforcimi i parë i madh mund të jetë tashmë i vendosur.
Kriza te Benfica dhe shkarkimi i Bruno Lage
Klubi nga Lisbona u përball me një disfatë shokuese në shtëpi, duke humbur 3-2 ndaj Qarabag-ut në Ligën e Kampionëve, ndonëse ishte në epërsi 2-0.
Ky rezultat dramatik i kushtoi vendin trajnerit Bruno Lage, i cili u shkarkua menjëherë pas ndeshjes.
Presidenti i klubit, Rui Costa, konfirmoi largimin e Lage-s në një konferencë për media, duke theksuar se trajneri i ardhshëm i Benficas duhet të ketë profil fituesi dhe aftësi për ta rikthyer ekipin në majat e futbollit portugez e europian.
Rikthimi i mundshëm i Mourinhos
Emri më i lakuar është padyshim Jose Mourinho, i cili vetëm pak javë më parë u shkarkua nga Fenerbahçe pas eliminimit pikërisht nga Benfica në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Sipas raportimeve, bisedimet mes Mourinhos dhe drejtuesve të klubit janë në faza të avancuara, ndërsa ky rikthim shihet si një lëvizje historike, duke qenë se Mourinho e nisi pikërisht aty karrierën e tij menaxheriale në vitin 2000.
Bernardo Silva – ëndrra e madhe e merkatos
Nëse emërimi i Mourinhos po shihet si çështje kohe, atëherë përforcimi i parë i madh mund të jetë Bernardo Silva. Kandidati kryesor për president të ri të klubit, Noronha Lopes, ka premtuar se në rast fitoreje në zgjedhje do të sjellë yllin e Manchester City-t në Lisbonë.
Kontrata e Silvës me City-n skadon në fund të sezonit, por Benfica besohet se ka nisur tashmë kontaktet me lojtarin dhe i ka përgatitur një ofertë konkrete. Ideja është që transferimi të realizohet në janar, ose të paktën Silva të rikthehet si lojtar i lirë verën e ardhshme.
Deklaratat e Silvës për rikthimin
Vetë Bernardo Silva nuk e ka fshehur kurrë dashurinë për Benficën. Në intervista të mëparshme, ai ka pranuar se mendon për një rikthim “çdo vit” dhe e quan rikthimin një ëndërr të pambaruar, duke qenë se gjatë periudhës së tij të parë në klub bëri vetëm tre paraqitje para se të transferohej te Monaco.
Në karrierën e tij me Manchester City, Silva ka fituar 6 tituj të Premier League-s, një Ligë të Kampionëve, katër Carabao Cup dhe dy FA Cup, duke u bërë një nga lojtarët më të suksesshëm të erës së Pep Guardiolës. /GazetaExpress/