Jorginho: Barazimin me Arsenalin e konsiderojmë humbje - Gazeta Express

Jorginho: Barazimin me Arsenalin e konsiderojmë humbje

Sport

Gazeta Express

22/01/2020 8:14

Mesfushori i Chelseat, Jorginho, është i zhgënjyer me dy pikët e humbura nga ndeshja kundër Arsenalit. Përkundër që Topçinjtë ishin me dhjetë lojtarë, Chelsea s’mori dot rezultat më të mirë sesa barazimi 2:2 të martën.

Të Kaltrit e morën një epërsi të madhe brenda 30 minutëshit të parë të lojës, kur David Luiz i Arsenalit u ndëshkua me karton të kuq, shkaku i një ndërhyrjeje ndaj Tammy Abraham, pas një pasimi të dobët nga Shkodran Mustafi, transmeton Gazeta Express.

Jorginho u tregua i saktë nga pika e penalltisë, për t’ia dhënë kështu skuadrës së tij epërsinë pas pjesës së parë në Stamford Bridge.

Gabriel Martinelli e barazoi rezultatin për Topçinjtë në minutën e 63-të, ndërsa Chelsea mendoi se e fitoi lojën me golin e Cesar Azpilicuetas në minutën e 84-të.

Por, skuadra e Frank Lampardit arriti ta mbajë atë epërsi vetëm për tre minuta, pasi që Hector Bellerin e barazoi sërish rezultatin me një gol të bukur.

Pas ndeshjes, Jorginho s’mund ta fshihte dot zhgënjimin që s’i kishte marrë të tri pikët kundër rivalit të qytetit, që luajti për shumicën e ndeshjes me një lojtar më pak.

“Ndihemi sikur ta kishim humbur ndeshjen. E kishim ndeshjen në dorë, pastaj në sekondën e fundit e morëm një gol, kur s’duhet ta kishim bërë këtë. Është e vështirë. Ne duhet të ecim përpara”, ka thënë Jorginho.

“Nuk mendoj se ka të bëjë me vetëbesim sepse ne luajtëm mirë dhe ishim në kontroll të ndeshjes. Ndoshta ka të bëjë me përqendrimin. Në këto ndeshje, e humb veten në disa momente. Bëmë gabime, kjo është e gjitha”.

“Këto ndeshjet e mëdha janë të tilla. Mund ta humbasësh ose ta fitosh ndeshjen shkaku i detajeve të vogla”.

Chelsea, i radhitur në vendin e katërt, është gjashtë pikë para Manchester Unitedit, që mund ta zvogëlojë këtë dallim me fitore sot kundër Burnleyt në Old Trafford. /Gazeta Express/