Procesi gjyqësor në Hagë po hyn në aktin e tij të fundit dhe dëshmitarët e mbrojtjes kanë dalë para trupit gjykues. Mirëpo ndërkaq janë shfaqur shprehje cinike të tipit “ata qenkan mburrur kot, nuk paskan qenë komandantë të vërtetë por kërkusha”, ose “Ushtria Çlirimtare të Kosovës nuk paska qenë përnjëmend ushtri”. Kjo ironi e hidhur i këtyre zërave që sot e trajtojnë UÇK-në si të ishte Ushtria Jugosllave nuk është thjesht e gabuar dhe fyese, por mbi të gjitha është një mohim i sakrificës. UÇK-ja nuk ishte ushtri e rregullt (sikurse po pretendon prokuroria e Gjykatës Speciale) dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e saj. Ajo lindi në kushte ilegale, pa hierarki të çimentuar, pa logjistikë të centralizuar, shpesh me armë e uniforma të improvizuara.
Shkruan: Adri Nurellari
Forca e saj buronte jo nga arsenali, por nga kauza fisnike: nga djem e vajza që lanë shtëpitë dhe morën malet, nga fshatrat që ndanin kafshatën e fundit me luftëtarët, nga diaspora që sakrifikoi kursimet për pushkë e fishekë. Ishte një guerilje e shpërndarë horizontalisht, e ushqyer nga besimi se edhe një popull i vogël ka të drejtë të jetojë i lirë. Në anën tjetër, Ushtria Jugosllave ishte përfaqësimi klasik i aparatit shtetëror represiv me gjithçka që një makineri ushtarake mund të kishte. Dhe megjithatë, përballë saj qëndroi një popull i armatosur keq, por i mbushur me një vendosmëri që asnjë tank nuk mund ta shkatërronte. Dallimi mes një ushtrie të rregullt dhe gueriles nuk është detaj teknik, por vetë thelbi i historisë. Ushtria e rregullt ishte instrument i terrorit shtetëror; ushtria guerile ishte britma e popullit të shtypur. Të barazosh këto dy realitete është sikur të barazosh Goliathin me Davidin.
Është e pakuptimtë që sot disa ta shesin si “dobësi” faktin se UÇK-ja nuk ishte ushtri konvencionale e mirëpajisur, me kontroll efektiv të territorit, por një formacion tipik partizan. Në realitet, pikërisht kjo e bën lavdinë edhe më të madhe. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi themeluan një guerile nga hiçi, e drejtuan në kushte krejtësisht të pabarabarta dhe e kthyen në shpresë të një populli. Një përballje e tillë ishte në dukje një mision vetëvrasës, por u shndërrua në provën më të madhe të vendosmërisë dhe trimërisë shqiptare. Për të sqaruar njëherë e mirë tymnajën dashakeqe që shtrohet nëse UÇK meritonte të quhej ushtri, duhet theksuar se bëhej fjalë për një strategji politike, juridike dhe morale. Emri “ushtri” i jepte UÇK-së legjitimitet kombëtar dhe e ngrinte mbi perceptimin e “grupeve terroriste”, siç i quante propaganda serbe. Në logjikën e së drejtës ndërkombëtare kjo i afronte më shumë me statusin e një pale ndërluftuese dhe i mbronte nga trajtimi si terroristë nëse binin robër.
Termi “ushtri” e ngrinte UÇK-në në nivelin e një aktori të denjë politik e historik përballë Ushtrisë Jugosllave duke lënë të kuptohet se nuk ishin çeta të shpërndara, por forca kombëtare që lufton për liri. Ky emërtim kishte edhe domethënie historike meqë shqiptarët e kanë traditë që forcat çlirimtare t’i quajnë “ushtri” siç qe rasti i forcave vullnetare të Lidhjes së Prizrenit apo sikurse u emërtua Ushtria Nacional-Çlirimtare edhe pse bëhej fjalë për partizanë. Për më tepër, vetemërtimi “ushtri” kishte funksion të drejtpërdrejtë psikologjik. Efekt mobilizues sepse i ngjallte shpresë dhe krenari popullit, i bindte fshatarët se kishin mbrojtës që meritonin të strehoheshin e të mbështeteshin, frymëzonte të rinjtë të rreshtoheshin e të merrnin armët dhe e shtynte diasporën të financonte luftën. Për armikun, krijonte perceptimin e një force më të madhe dhe më të organizuar se sa ishte realisht, duke i ngjallur frikë. Për diplomacinë ndërkombëtare, prezantonte imazh serioz dhe të strukturuar, më të pranueshëm për t’u marrë si partner në negociata. Gjithashtu, kuptohet që portretizimi i UÇK-së si një “ushtri e fuqishme” nuk ishte thjesht propagandë boshe, por një mjet psikologjik.
Si në çdo formacion luftarak, një imazh i tillë shërbente për të mbajtur lart moralin në kushte të pabarabarta ekstreme dhe për të parandaluar dezertimet. Lufta nuk fitohet vetëm me armë dhe numra, por edhe me besimin se fitorja është e mundur. Për një lëvizje guerile që vepronte me logjistikë të kufizuar dhe nën rrezikun e vazhdueshëm të një ushtrie reale të armatosur deri në dhëmbë, ky besim ishte arma më e fuqishme. Edhe mendimtarët më të mëdhenj ushtarakë e kanë parë moralin si faktor vendimtar strategjisti Clausewitz theksonte se forcat morale (pra aspektet psikologjike dhe politike të luftës) janë po aq të rëndësishme sa armët ndërsa Napoleoni thoshte se: “Në luftë, morali është ndaj forcës materiale si tre me një”. Të pretendosh që asokohe liderët e UÇK-së të raportonin saktë kapacitetet apo të zbulonin publikisht sekretet e dobësive operacionale, duke demoralizuar kështu popullatën dhe trupat e tyre, nuk është vetëm një naivitet analitik i thellë, por shkon drejt dashakeqësisë.
Një lider i kryengritjes s’është analist apo reporter, por misionar që duhet të projektojë forcë dhe shpresë, pavarësisht nga pabarazia materiale e numerike apo mungesa e kontrollit efektiv mbi të gjithë ata që u përfshinë në luftë. Nëse dikush e njeh sadopak logjikën e luftës asimetrike partizane e kupton pse nuk është rastësi që UÇK-ja konsiderohet guerilja më e suksesshme. Suksesin e shpjegon më së miri thënia e Henry Kissinger në vitin 1969 gjatë luftës me Vietkongët: “Ne bëmë një luftë ushtarake; kundërshtarët tanë bënë një luftë politike… Guerilasi fiton, nëse nuk humbet. Ushtria konvencionale humbet nëse nuk fiton”. Pra, suksesi strategjik i UÇKsë nuk ka të bëjë me mposhtjen e forcave serbe, por me faktin që, nëpërmjet qëndresës stoike, ia dolën ta shndërronin një çështje të brendshme (të përkufizuar si “luftë kundër terrorizmit”) në një krizë ndërkombëtare (si “luftë çlirimtare” dhe “përgjegjësi për të mbrojtur”), duke tërhequr ndërhyrjen e NATO-s. Kjo u arrit sepse, në të njëjtën kohë, ata ia dolën të fitonin besimin dhe zemrat e popullit të tyre, duke siguruar bazën esenciale të mbështetjes (ujin ku noton peshku, siç e quante Mao Ce Duni), që e bëri të pamundur shfarosjen e tyre nga aparati ushtarak shtetëror jugosllav. Nëse emërtimi “Ushtri” ishte një nevojë taktike gjatë luftës, pas konfliktit dhe me vendosjen e autoritetit ndërkombëtar (UNMIK, KFOR), nevoja për të glorifikuar organizimin dhe legjitimitetin e kryengritjes u shndërrua në një parakusht strategjik për të arritur qëllimin final: Pavarësinë e Kosovës.
Një nga rreziqet më të mëdha ishte që Kosova të perceptohej si një krijesë artificiale e tavolinave ndërkombëtare pa themele të brendshme. Pikërisht këtu shërbeu glorifikimi i luftës çlirimtare si mburoja më e fortë morale e vendit. UÇK-ja u paraqit jo vetëm si një forcë ushtarake, por si një shprehje e vullnetit popullor që nuk pranoi të mbetej viktimë pasive. Në arenën ndërkombëtare, popujt që ngrihen për liri perceptohen e respektohen ndryshe nga ata që mbeten vetëm viktima pasive. Kosova fitoi jo vetëm mëshirë, por edhe respekt e admirim, sepse tregoi se ishte gati të sakrifikonte për liri. Pa UÇK-në, shqiptarët e Kosovës do të mbeteshin të përshkruar vetëm si viktima të spastrimit etnik. Me UÇK-në, ata u bënë protagonistë të historisë, që morën fatin në duart e tyre. Prandaj imazhi i një populli që luftoi dhe pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë u bë themel për legjitimitetin e shtetit të ri, sepse i zhvendosi shqiptarët nga pozicioni i “gjynahqarëve të shpëtuar” në atë të “aktorëve të historisë”.
Ky glorifikim shërbeu edhe si barrierë ndaj propagandës serbe, që përpiqej ta paraqiste luftën si terrorizëm dhe Kosovën si “produkt imperialist të NATO-s”. UÇK-ja e sfidoi këtë imazh dhe shërbeu si mburojë diplomatike duke theksuar se Kosova kishte rrënjë të brendshme, jo thjesht një status të dhuruar nga fuqitë e mëdha. Është e vërtetë që elitat e reja politike të Kosovës së çliruar, sidomos ishudhëheqësit e UÇK-së, e përdorën këtë sublimim si burim legjitimiteti. Por ky fakt nuk ndihmoi vetëm në karrierën e tyre personale politike, por edhe i bëri ata negociatorë më të fortë dhe efikas në arenën ndërkombëtare, gjë që u kurorëzua me pavarësinë në 17 shkurt 2008. Në planin e brendshëm, lartësimi i luftës kishte funksion shtetformues dhe unifikues, sepse shërbeu edhe për të shmangur ndarjet e brendshme pas luftë duke vepruar si një pikë referimi që e bashkoi popullin përtej dallimeve politike. Narrativa e UÇK-së e bëri më të lehtë edhe procesin e tranzicionit dhe ndërtimit të institucioneve embrionale të pavarura, siç qe TMK-ja, duke i bindur qytetarët që t’i pranonin institucionet e reja si të dala nga një sakrificë e përbashkët, jo si konstruksione të imponuara nga ndërkombëtarët. Ashtu si shumë vende të tjera me lëvizje çlirimtare si FLN në Algjeri, ANC në Afrikën e Jugut, IRA në Irlandë, Mau Mau në Kenia etj.; edhe Kosova kishte nevojë për një “mit themelues” që të lidhte shtetin me rezistencën popullore. Me pak fjalë, ngritja në piedestal e UÇK-së nuk ishte zbukurim fjalësh apo kalkulim personal i figurave të saj, por një domosdoshmëri strategjike dhe morale që i shërbeu popullit në çdo etapë historike: gjatë luftës, mbajti gjallë besimin dhe guximin, mobilizoi rinjtë, diasporën dhe fshatrat, duke krijuar ndjesinë se fitorja ishte e mundur përballë leviathanit ushtarak jugosllav. Pas luftës, u kthye në kapital politik e diplomatik që i dha Kosovës zë dhe peshë në tavolinat e negociatave, duke e mbrojtur nga perceptimi si një krijesë artificiale e fuqive të mëdha dhe duke e lidhur shtetin me sakrificën e popullit të vet. Ndërsa sot mbetet nyja që lidh identitetin e Kosovës me sakrificën që i dha jetë shtetit të saj.
Si e tillë, ruajtja e këtij simboli nuk është çështje nostalgjie por burim legjitimiteti, uniteti dhe krenarie për brezat që vijnë. Prandaj, ata që sot, të verbuar nga lufta e brendshme për pushtet apo urrejtja obsesive, fërkojnë duart nga gëzimi për largimin e liderëve të UÇK-së, duhet ta kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: me këtë proces nuk po “dënohen” vetëm individë, por po goditet edhe vetë rrënja morale e shtetndërtimit të Kosovës. Çdo tentativë për të relativizuar apo njollosur sakrificën e UÇK-së është në thelb një tentativë për të minuar legjitimitetin e shtetit. Republika e Kosovës nuk u ngrit nga lëmosha e diplomacisë ndërkombëtare, por nga gjaku, vendosmëria dhe morali i një populli që zgjodhi të mos nënshtrohej. Nëse harrojmë këtë, atëherë lejojmë që të na e rrëzojnë jo vetëm lavdinë e UÇK-së, por edhe shtetin.