“Jetojmë si në mesjetë”, Tabaku në Zall Herr: Rama nuk është modeli që do Shqipëria - Gazeta Express

“Jetojmë si në mesjetë”, Tabaku në Zall Herr: Rama nuk është modeli që do Shqipëria

Shqiperi

Gazeta Express

24/01/2021 14:20

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ditën e sotme ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së Zall Herrit.

Ndërkohë banorët ndanë me ish-deputeten shqetësimet e tyre, duke theksuar se janë në izolim të plotë dhe se janë të braktisur nga Bashkia.

“Çfarë do shqiptari? Investim, rrugë, nuk po kërkoj as shtëpi, asgjë, më trajto si njeri jo si kafshë. Para një jave erdhi kryeministri më tha e ke kafen e paguar, nuk ia dua kafen. Unë dua investim, jo vetëm personal, por dua për të gjithë fshatin. Në Priskë ne nuk kemi drita, jetojmë si në mesjetë. Me 31 dhjetor ika të marr një kandil me vaj se s’kishim drita në fshat”, tha një nga banorët.

Tabaku theksoi se kjo është mënyra e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, i cili sipas saj i gënjen qytetarët me një thes miell dhe një kafe.

“Ata nuk dinë të investojnë, as të bëjnë shkolla, as të bëjnë rrugë, shkollën që ishte e mbyllën. Ata dinë vetëm të rrisin taksa dhe të gënjejnë. Nuk është modeli që do Shqipëria, nuk është ky modeli që duan qytetarët”, tha Tabaku.