string(37) "jeta-paradoksale-e-shen-manuel-buenos"

Arte

Gazeta Express

01/06/2022 16:09

Jeta paradoksale e Shën Manuel Buenos

Arte

Gazeta Express

01/06/2022 16:09

(Rreth romanit “Shën Manuel Bueno martir” të Miguel de Unamunos, botuar nga Bard Books, Prishtinë, 2019)

Shkruan: Agnesë Shkodra

“Shën Manuel Bueno martir” është një nivolë, e shkruar më 1930 nga Miguel de Unamuno. I njohur vetëm si Unamuno, figura më qëndrore e letërsisë së Spanjës, është edhe krijues i “nivolës”, zhanër kontrast me novelën, sidomos atë realiste, që shkruhej nga bashkëkohësit e tij. Me veprën “Mjegulla” dhe kryeveprën “Shën Manuel Bueno martir”, ai krijon këtë zhanër me të cilin largon vëmendjen nga forma dhe e fokuson në përmbajtje. Unamuno njihet edhe me dy veprat e tij “Jeta e Don Kishotit dhe Sanços” dhe “Abel Sançez”.

Si zhanër që trajton vetëm një tipar psikologjik të personazhit, në kryevepërën e tij, autori pasqyron ndjenjat dhe shqetësimet shpirtërore të kryepersonazhit, Shën Manuel Buenos. Pra, ky rrëfim që konsiderohet edhe testament shpirtëror, portretizon Don Manuelin, një prift që me një zë të mrekullueshëm arrin shërime. Ai identifikohet si shenjtor dhe njeri i përkryer, që edhe pse nuk beson, shtiret për t’i bërë të lumtur të tjerët: Religjioni im është ngushëllimi i të tjerëve. Prandaj, jetën e tij, e sheh si një betejë kundër vetëvrasjes. Në këtë mënyrë, Unamuno trajton dyshimin ekzistencial duke e mbartur narracionin rreth besimit dhe pavdekësisë. Sipas tij ka një të vërtetë të vetme: Pas vdekjes nuk ka asgjë dhe të vdekurit do të vdesin përgjithmonë. Por ai nuk gjen asnjë mënyrë për t’i bindur këta të pagdhendur (besimtarët). Të vërtetën tragjike e shndërron në një iluzion lumturor sepse me të vërtetën e tij, ata nuk do të jetojnë. Prandaj ai pajtohet me pohimin se feja është opium i njerëzve dhe i qëndron idesë se duhet t’ua japim atë opium dhe t’i lëmë të flenë e të ëndërrojnë. Kjo ngjarje rrëfehet nga Anhela që është narrator homodiegjetik. Ajo rrëfen një ngjarje që zhvillohet në një periudhë kohore prej dyzet vjetësh. Krejt fokusi i rrëfimit vendoset mbi martirin Shën Manuel Buenon, i cili është personazh biografik i autorit. Ndërsa në epilog vendin e narratorit (Anhelës) e zë autori (Migueli), i cili duke iu drejtuar drejtpërdrejt lexuesve, krijon vetëreflektim (teknika e poioumenonit). “Shën Manuel Bueno martir” ndërtohet edhe sipas praktikës së intertekstualitetit, e cila e paraqet raportin ndërmjet dy ose më shumë teksteve. Ky raport krijohet nga tipologjia e referencës. Brenda rrëfimit hasim referenca nga religjioni (Bibla), filozofia (Kierkegaard), letërsia (Gëte, Poe). I krijuar sipas stilit biblik, ky rrëfim nis me një moto nga Bibla: “e në qoftëse në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerë”. Kjo moto ngërthen në vete krejt filozofinë e veprës. Edhe Manueli na asocion me Emanuelin e Biblës dhe Lazari me Llazarin e dhjatës së re. Ndërsa “Bueno” është epitet që personifikon mirësi. Prandaj, “Shën Manuel Bueno martir” klasifikohet si vepër e shkruar sipas modelit biblik (parabolë biblike).

/Gazeta Express