Jeta dhe vepra e hiçit - Gazeta Express
string(22) "jeta-dhe-vepra-e-hicit"

OP/ED

Gazeta Express

16/03/2021 16:35

Jeta dhe vepra e hiçit

OP/ED

Gazeta Express

16/03/2021 16:35

Në faqet e historisë shënohen ata që ishin lider ose akterë ndër kryesorët (përfundues) të një primakauze brenda kulturës apo botës ku vepronin. Me primakauza në sferën politike nënkuptoj: lirinë e një populli, mbarimin e ndonjë luftë botërore, bërjen e një kombi, shteti a sistemi universal e të llojit. Këta pastaj konform parimeve mbi të cilat bënin luftën e tyre ndahen në dy kategori; në heronj apo kriminel. Një ese mbi Subjektin dhe Primakauzën e tij.

Xhemal AHMETI

Lexo Edhe:

Në brendinë e tij, njeriu është ashtu siç thoshte Herakliti – si lumi! Pa këtë dinamikë në frymë e organe njeriu nuk rritet, piqet, nuk ndryshon, nuk zhvillohet. Pra, njeriu dhe jeta e tij vërtet duhet të rrjedhin për të mos u kalbëzuar. Njeriu duhet të ecejaket jo vetëm gjeodimensioneve të hapësirës por edhe mendësive, ideologjive, historive, përvojave për tu bërë më në fund një Vete, një, i cili pasi fizikisht s’është më këtuqenie mëjeton prapseprapë si shenjë në ars memorian e të mëvonshmëve, një pra që ia vlejti të ishte.

Mu nga kjo pikë e matej mirëpo hapet ajo zona e quajtur e «gropave» të çdo Subjekti [Slavoj Žižek: 2010]. Çka i lejohet atij të ndryshojë e çka jo? Si duhet ai ta menaxhojë ekskursionin e tij doxà-ve, politikave, rrëfimeve e filozofive që mos të shndërrohet në kloun të agorave të kohës, që mos të mbarojë si një nga ata që sa bëjnë hapin prehalohen para botës dhe vetes?

Konsistenca në parime i duhet atij. Parime të asaj natyre që humanoidët i konsiderojnë shtyllat e çdo habitusi «normal», siç janë refuzimi [apo sakralizimi] i krimit, lufta kundër [ose prodhimi i] padrejtësisë ndaj të dobëtit, prodhimi [ose kufizimi] i lirisë për Tjetrin, përpjekja për instalim [ose eliminim] të barazisë dhe plotë mantra tjera të këtij lloji që datojnë që nga kushtetutat e para egjiptiane, babilonase e mesopotamike. Për këtë arsye, Subjekti që kadastrohet në kujtesën e kohëve futet në stomakun e njërit nga këto dy pole: në atë që prodhon krimin ose në atë që luftonte krimin, aty me ata që sillnin lirinë për Tjerët ose radhitet me ata që u vrisnin lirinë tjerëve e kështu me radhë.

Deri këtu treguam katin e tretë të gropës së Subjektit me parime. Kati i dytë i kësaj grope është zgjuarsia ose letargjia e tij: si të luftojë për lirinë e të vetëve pa qenë krim për ata jashtë orbitës së tij nacionale; si të luftojë kundra patriarkatit pa rrëshqitur në matriarkat; si të veprojë për sekularizimin pa e shndërruar edhe këtë në religjion ekstrem kundër feve tjera? Para se të flasim për katin e tretë, respektivisht atë që paluhatshëm qëndron  mbi themelet e shtëpisë së Subjektit dhe i cili është determinues për jetëgjatësinë dhe efektin e  tij, le ta ilustrojmë problemin me jetën e veprën e një Subjekti exelent të historisë kulturologjike sa i përket habitusit me kauzë jetësore që detyrimisht mbetet në histori.

II.

Artemisia Gentileschi [shqip = Xhentileshi, Romë: 1593-1654], vajza e piktorit poashtu të rëndësishëm Orazio Gentlieschi ishte [jo pse thonë historianet feministe të arteve, por sepse vërtet është] fuzion e gjitha lartësive artistike të Da Vinci-t, Raffaelos, Micheloangelos (plakut) në një. Është emblema e artit barok. Deri në fund të shekullit 21 emrin ia njihnin vetëm specialistët mizogjinë dhe pak-kush-tjetër. Pasi i Ati zbuloi dhuntitë e Artemisias e dërgoi tek kolegu i tij Agostino Tassi. Ky pasi e dhunon i premton se do ta martojë. Në maj të vitit 1612 padit i Ati i Artemisias Tassin e martuar për dhunim. Tassi për të mbrojtur veten përhap gënjeshtrat Artemisia të jetë prostitutë. Kjo, edhe pse për ditë e netë me radhë torturohet nga kleri me një vidë gishtathyerëse, nuk pranon të jetë e tillë. Pasojnë kontrolle gjinekologjike. Edhe pse vërtetohet se nuk mund të ishte prostitutë, Tassi nuk përfundon në burg për shkak të saj, porse kapet duke vjedhur tetë piktura.

Artemisia ikë nga Roma për në Florenc. 3 vite më vonë përfundon pikturën e saj «Suzana dhe pleqtë» [1610]. Vepra konsiderohet si traktati i parë artistik kundër patriarkatit të egër maskilist ndaj femrës. Konform përvojës, jetës, dramës personale Œuvre e Artemisias vazhdon me prerje kokash meshkujsh. Ajo kap motivin biblik që rrëfen për vrasjen e gjeneralit babilonas Holofernes nga e veja hebreje Judith për ta ekzekutuar dhunuesin e saj Tassi (Cikli: «Kokëprerja e Holofernes » [1612-1613]). Ndëshkimi i krimit nëpërmjet krimit me artin si mjet? Nga perspektive biblike e dhiatës së vjetër dhe bazuar në përjetimet e Artemisias veprimi i saj është normal, por ku mbërrin habitusi me këtë metodë brenda artit? Majave të Olimpit apo atje, në Limbo, në katin e parë të infernos, ku Dante burgosi Vergjilin? Kjo linjë fryme është boshti i pikturimit të Artemisias gjatë kohë: lufta e femrës kundër dhunës mashkullore me të njëjtat mjete. Duke filluar nga viti 1630 pikturat e saja të krijojnë përshtypjen sikur ajo vuan nga sindroma e Stockholmit. Fillimisht gratë takojnë engjëjt «predikues» [3:1630] pastaj ajo e dërgon San Gennaron [Xhenaro] në amfiteatër [1633] e dikur portreton tradhtinë e Delilës [Bibla,Tanahu. Delila dhe Samsoni:1635] së korruptuar nga filistët për t’ia humbur fuqinë Samsonit. Aterrimin si habitus që kupton esencën estetike të artit Artemisia e kap pas shpëtimit nga urrejtja dhe lufta e saj e prirë nga motoja «sy për sy e dhëmb për dhëmb». Udhë, kauzë, jetë që e përmbyll me punimet si «Bethseba në banjo» [1640], aty ku femrat e lira ndërtojnë, formësojnë dhe dinamizojnë botën me bukurinë dhe lirinë e tyre – pa u shndërruar në meshkuj me thika në dorë dhe shantazhe në frymë.

III.

E vetmja armë konstruktive dhe efektive që në mënyrë konstante i ndejti besnike Artemisias që ajo të triumfojë mbi dramat, dhunën, pabarazinë nuk ishin emocionet, urrejtja, hakmarrja, motivet e saja biblike të marra si mësime për jetë, por vetëm mjeti i saj: arti! Arti si ars [lat] apo téchne [psgr] është mirëpo «veprimi i bazuar në dije, ushtrim, ndjesi dhe fuqi të parafytyrimit» [Drewsen.1989: 49-54]. Në cilat dije gjeti Artemisia formulën si t’i shpëtojë dramës së saj që nga dhunimi e deri tek gjendja e qenies me sindromën e Stokholmit? Përvoja personale e mbyti atë. Motivet dhe mësimet biblike i ndihmuan për t’u zbrazur nga plagët e rënda të jetës, të marra si nxënëse e artit e deri tek ikja nga Roma, çka mbetet pra që mund ta përdorim si shkakun e ringritjes së saj si njeri dhe amshimit faqeve të historisë? Arti?

IV.

Tash të kthehemi tek ato gropat tona të Subjektit. Kthehemi tek kati i parë i godinës sonë me emrin Subjekt, aty nën të cilin janë themelet e komplet qenies X apo Y.

Artemisia dijet mbi jetën dhe botën i mori duke ushtruar, duke bërë art. Arti e shpëtoi atë nga humnera ku e përmbysën tjerët, paralelisht duke bërë që të triumfojë edhe kauza e saj dhe të mbërrije edhe kohën tonë në mënyrën më fisnike të mundshme. Ajo dhe kauza e saj mbijetuan për shkak se ajo eci botëkuptimeve, religjioneve dhe narrativeve, mirëpo as edhe në kushte mizërie siç i pati nuk i bërë parime jete ato që të bukurën (edhe brenda skenave me kokaprerje) do t’ia suspendonin përjetësisht nga tablotë e saja. Po të ishte ndalur në njërin nga stacionet e mëhershme do të kishte vdekur nga depresionet, urrejtja për botën dhe jetën; Subjekti do të kishte rënë aksidentueshëm në njërën nga gropat e tij. Prandaj kauza, arti dhe vetë ajo mbrritën edhe shekullin tonë ndriçueshëm.

Kauzat që i kanë themelet mbi mësime që si të tilla saherë kanë marrë primatin kanë përmbys botën në krime, paliri, vuajtje, pabarazi detyrimisht të radhisin o në anën negative të historisë (nëse bën dëm shënjues) o të ekzekutojnë me vulën e anonimitetit sikur mos kishe qenë fare këndejpari. Artemisia zgjodhi një mjet dhe një dije që për esencë kishte të bukurën (jo si hijeshi, por si kategori filozofike) ose përpjekjen e përhershme e të papërkryer të humanoidit për ta arritur atë, ajo zgjodhi jetën, jo vdekjen për ndonjë jetë tjetër imagjinare, prandaj triumfoi. E kjo donë të thotë të fitosh edhe mbi Veten. Parakusht për të mundur ta ndërtosh një kauzë të vyeshme për lirinë, barazinë dhe mirëqenien tënde dhe të tjerëve.

Eh po: ai që lexon ngarendshëm do të na thotë: “po gjithë me art s’merremi dot”. E qartë: Prandaj e kategorizuam artin e Artemisias si “Mjetin” e saj për të sfiduar epokat dhe dramat e tyre. Mjeti i Subjektit për Kauzën e tij mund të jetë edhe politika, shkenca, filantropia, bujqësia, s’ka rëndësi se cila, me rëndësi është të mos jetë ndonjëra nga gropat që i sjellin doktrina të shumta, të cilat saherë u shfaqën mbytën miliona Artemisia apo Virgjilë.

Kjo do të jetë kryegropa e çdo subjekti – marrja si bazë e mësimeve të këqija e të dëshmuara si gropa jo vetëm e subjektëve të caktuar të historisë, por të mbarë njerëzimit.