Një efektiv policie në Elbasan ka përfunduar në pranga, pasi akuzohet se jepte hua me fajde dhe përdorte dhunë apo kanosje për të detyruar kthimin e shumave të mëdha të parave.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nënkomisari kishte krijuar një skemë ku i jepte para borxh personave të ndryshëm, për të cilat më pas kërkonte kthimin me përqindje të lartë, duke ushtruar presion dhe kërcënime.Hetimet zbuluan se një vit më parë, efektivi i kishte dhënë 7 mijë euro një qytetari që ushtronte aktivitetin e makinave me qira dhe më pas e kishte detyruar të paguante çdo muaj shuma nga 1 mijë deri në 1500 euro, duke e kërcënuar vazhdimisht.Personi që u shantazhua bashkëpunoi me AMP-në dhe tregoi detaje mbi mënyrën e kërcënimeve dhe mënyrën se si nënkomisari e kishte detyruar të paguante paratë e fajdes.Pavarësisht provave të mbledhura, efektivi Edison Pema ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka ushtruar as dhunë dhe as kërcënime ndaj qytetarit. Ndërkohë, hetimet mbi këtë rast vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.