Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, e ka bërë një hap të papritur duke dhënë dorëheqjen nga posti i tij, vetëm pak kohë para zgjedhjeve presidenciale të klubit, të planifikuara për 15 mars 2026.
Dorëheqja është bërë në përputhje me statutet e klubit, që kërkojnë që kandidati aktual të japë dorëheqje për t’u rikualifikuar si kandidat në zgjedhje.
Laporta e ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për t’u rizgjedhur dhe është konsideruar si favorit përballë rivalëve të tij, përfshirë Víctor Font, Xavi Vilajoana dhe Marc Ciria, mes të tjerëve, përcjell “Gazeta Express”.
Në një seri komentesh me mediat dhe anëtarët e klubit, Laporta ka theksuar se Barcelona ndodhet në një gjendje më të mirë se ajo që ishte para 5 vjetësh, kur ai u rizgjodh president në mars të vitit 2021.
Ai argumenton se një periudhë e ndërlikuar sportive dhe financiare është përballuar me sukses dhe se e ka ngritur klubin në drejtim pozitiv, ndërsa, sipas tij, vijon puna për të ndërtuar një të ardhme më të fortë.
“Po shkoj, me dëshirën për t’u parë sërish shumë shpejt. Tifozët janë të lumtur, e kemi rikthyer gëzimin dhe lumturinë në fytyrat e tyre. Po e lë klubin në gjendje më të mirë në krahasim me pesë vjet më parë. Na është dashur të merrnim vendime të vështirë, por në fund gjërat kanë shkuar mirë, ndihemi krenarë.”
Këto ishin pikat kryesore të Laportas në fushatën e tij, duke i nënvizuar përmirësimet institucionale dhe sportive që sipas tij kanë ardhur në këtë periudhë.
Ai po e përdor këtë mesazh për ta kërkuar besimin e anëtarëve votues të klubit, duke u fokusuar në stabilitetin e menaxhimit dhe në arritjet sportive, përfshirë rikthimin në Camp Nou pas punimeve, performancën konkurruese në La Liga, të arriturat e moshave të reja dhe përmirësimet financiare.
Mesa duket, Laporta dëshiron të shfrytëzojë momentumin pozitiv për ta bindur anëtarësinë se është kandidati i duhur për ta drejtuar klubin edhe për pesë vitet e ardhshme, duke argumentuar se situata aktuale është më e fortë se para pesë vjetësh. /Gazeta Express
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...