Jep dorëheqje Kozak, miku i kamotshëm i Putinit që besohet se kundërshtonte luftën në Ukrainë - Gazeta Express
string(92) "jep-doreheqje-kozak-miku-i-kamotshem-i-putinit-qe-besohet-se-kundershtonte-luften-ne-ukraine"

Lajme

Gazeta Express

18/09/2025 16:12

Jep dorëheqje Kozak, miku i kamotshëm i Putinit që besohet se kundërshtonte luftën në Ukrainë

Lajme

Gazeta Express

18/09/2025 16:12

Dmitry Kozak – një bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i kamotshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili besohet se e kishte kundërshtuar luftën në Ukrainë në ditët e saj të para – ka dhënë dorëheqjen nga Qeveria, tha Kremlini.

Kozak, 66-vjeçar, i cili shërbente si zëvendësshef i administratës së fuqishme presidenciale të Kremlinit, vendosi të largohet me dëshirën e tij, u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitry Peskov të enjten.

Njoftimi erdhi pas disa ditëve thashetheme për Kozakun, i cili është një nga bashkëpunëtorët më të hershëm të Putinit, që nga ditët e para të liderit rus në politikë, në zyrën e kryebashkiakut të Shën Petersburgut në vitet ’90.

Largimet e zyrtarëve të lartë nga administrata ose kabineti nën drejtimin e Putinit janë të rralla.

Disa media ruse thanë se Kozakut i ishte ofruar posti si zyrtari më i lartë për distriktin federal veriperëndimor të Rusisë, por ai s’e kishte pranuar.

Peskov nuk përmendi asgjë në lidhje me këtë.

Kozak – i lindur në Ukrainë – hyri në Kremlin bashkë me Putinin kur ky i fundit u bë president në vitin 2000, duke shërbyer në disa role të rëndësishme ndër vite, përfshirë edhe si zëvendëskryeministër për gati 12 vjet.

Ai shërbeu si përgjegjës i Kremlinit për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit në vitin 2014, që Kremlini i pa si shenjë të rikthimit të merituar të Rusisë në skenën botërore.

Pas pushtimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në mars 2014 dhe më pas aneksimit të tij, ai u vendos nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore.

Në vitin 2020, Kozak iu bashkua administratës presidenciale, që ka një rol të fuqishëm brenda Kremlinit. Ai ishte gjithashtu i njohur si ndërmjetësues i shpeshtë me ambasadorë dhe të dërguar perëndimorë.

Disa analistë e shohin largimin e Kozakut si sinjalin më të fundit se çdo dyshim apo kundërshtim ndaj luftës kundër Ukrainës nuk është i mirëpritur.

Në muajt para dhe ditët menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në shkurt 2022, raportohej për kundërshtime të heshtura nga disa prej këshilltarëve më të afërt të Putinit ndaj vendimit për ta pushtuar vendin fqinj.

Në ditët pas pushtimit, Kozak, i cili ishte emëruar si përgjegjës i Kremlinit për çështjen e Ukrainës, i kishte thënë privatisht Putinit se ishte kundër, sipas The New York Times.

Sipas Reuters, Kozaku gjithashtu kishte përgatitur një kornizë për një marrëveshje paqeje me Ukrainën që do të zgjidhte disa nga kërkesat kryesore të Kremlinit. Por, Putini e kishte hedhur poshtë planin.

Largimi i Kozakut është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të kohëzgjatjes së tij si bashkëpunëtor i brendshëm i Putinit – i cili njihet për vlerësimin mbi të gjitha të besnikërisë – por edhe për shkak të mungesës relative të dorëheqjeve nga Kremlini apo Qeveria, qoftë për shkak të kundërshtimit ndaj luftës apo për arsye të tjera.

Zyrtarë të tjerë të lartë që dihet se kanë shprehur kundërshtim ndaj luftës përfshijnë kryetaren e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, e cila raportohet se i kishte dorëzuar Putinit dorëheqjen e saj, por ai nuk e kishte pranuar.

Gjenerali më i lartë që mbikëqyr luftën, Valery Gerasimov, vazhdon të mbajë postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm – pavarësisht bindjes së përhapur se muajt e parë të pushtimit të Ukrainës ishin një katastrofë për forcat e armatosura ruse.

Ai i mbushi 70 vjet javën e kaluar, shumë përtej moshës normale të daljes në pension për oficerët. /REL/