“ Kur isha më e re ishte e frikshme sepse nuk e dija nëse mund ta bëja”
Këngëtarja dhe aktorja e famshme, Jennifer Lopez, ka rrëfyer se pas divorcit nga Ben Affleck vendosi të ndalonte gjithçka dhe të përballej me situatën në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Artistja tregoi se pasi paraqiti kërkesën për divorc në vitin 2024, vendosi të bënte një pauzë nga karriera dhe të përqendrohej te vetja dhe familja.
“Më është dashur të ndaloj gjithçka dhe mora një vit pushim. Anulova turnetë e mia. Thjesht vendosa të rrija në shtëpi dhe të pranoja atë që ndodhi, pa ikur prej saj përmes punës, një personi tjetër apo diçkaje tjetër”, u shpreh Jennifer Lopez.
Ajo shtoi se gjatë kësaj periudhe ndjeu se duhej të ishte pranë fëmijëve të saj, pasi ndarja ishte një proces i vështirë edhe për ta.
“Duhej të isha në shtëpi me fëmijët e mi. Nuk mund të fajësoja askënd tjetër, kështu që doja vetëm ta kuptoja veten”.
Në një intervistë për “Nightline”, Lopez u shpreh se aktualisht ndihet mirë me jetën e saj dhe se e shijon periudhën si beqare.
“Tani ndihem shumë mirë, jam shumë e lumtur dhe ndihem mirë. Kur isha më e re ishte e frikshme sepse nuk e dija nëse mund ta bëja. Gjithmonë kisha frikë ta bëja”, tha ajo.
Megjithëse nuk ka një lidhje romantike për momentin, Jennifer Lopez theksoi se ndihet e rrethuar nga dashuria e familjes dhe miqve.
“Këtë vit jam një nënë e maturantëve që do të shkojnë në kolegj. Jam balerinë, argëtuese dhe aktore. Jam e lumtur dhe mirënjohëse”, u shpreh ajo.
Këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc nga Ben Affleck në gusht të vitit 2024.