Në një intervistë për italianen La Nazione, e mbushur me ndjenja faji që nuk shkoi ta denonconte vetë, shoqja më e afërt e Klodiana Vefës, 36-vjeçares shqiptare që u vra me armë zjarri në rrugë nga ish-bashkëshorti i saj Alfred Vefa mbrëmjen e 28 shtatorit rrëfen se e ndjera kishte frikë që ta denonconte Alfredin. Ajo i druhej faktit që ai mund të hakmerrej ndaj fëmijëve.
Po përse nuk e denoncoi Klodiana asnjëherë ish-burrin e saj, nëse ndihej në rrezik?
“Për fëmijët. Kishte frikë që nëse e denonconte ai do i bënte keq fëmijëve, në shenjë hakmarrje ndaj saj. Por ishte e bindur edhe për një gjë tjetër… Mendonte se edhe nëse e denonconte, nuk do të ndryshonte asgjë. Më thoshte: Në fund atë që do të bëjë do ta bëjë gjithsesi”.
“Shqiptarja ishte kokëfortë, por me zemër të madhe. I donte fëmijët e saj me shpirt. Donte të ishte e lumtur, po përpiqej me gjithë fuqinë e saj. Kishte gjetur dikë me të cilin ndihej mirë. Një burrë i cili ashtu si ajo kishte kaluar vite ferri duke duruar gjithçka sepse donin të rrinin bashkë. E njoh shumë mirë, dhe ai ashtu si unë, deri kur Alfredi u gjet i vdekur, kishte frikë të dilte nga shtëpia. Tashmë do të duhet të përballemi me çfarë ndodhi: Një dhimbje e papërballueshme dhe një peng që do më torturojë përjetë”.
Nëse do të mund të kthehej pas, çfarë do bënte?
“Do shkoja te karabinierët dhe do ta denoncoja, me ose pa miratimin e Klodianës. Si unë ashtu dhe partneri i saj nuk na e bënte zemra që të vepronim pa dëshirën e saj. Këmbëngulëm shumë. U përpoqëm ta bindnim me çdo mënyrë. Por në fund ajo e mbyllte bisedën duke thënë: Jemi shqiptarë, nuk na kuptoni dot. Ne e respektuam deri në fund.”