“JEMI NJË” si kundërthënie - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

14/08/2021 14:08

“JEMI NJË” si kundërthënie

OP/ED

Gazeta Express

14/08/2021 14:08

Është normale që pas një periudhe mbi 20-vjeçare të dalin në pah mospajtimet politike e kombëtare, diferencat kulturore dhe dallimet në projektimin e së ardhmes. Të jetuarit gjatë të ndarë ose asnjëherë pothuajse, të mosjetuarit bashkë në një hapësirë të përbashkët politike, kushtetuese dhe kulturore, ka bërë që të jemi larg njëri-tjetrit. Kurse shfaqja e menjëhershme ndaj njëri-tjetrit padyshim se do të prodhojë përplasje të natyrave të ndryshme. Secila palë i ka disa kritika të qëndrueshme karshi tjetrit dhe secila i përdor ato kritika në mënyrë joracionale.

Shkruan: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Të bashkëjetuarit në një projekt ideal (e që ishte edhe ashtu gati se i njëanshëm) ka ndërtuar një rrugë e cila nuk kishte asnjë pengesë të brendshme, sepse idealizimi (siç edhe e ka zakon) kishte krijuar edhe një marrëdhënie irreale – i jemi është veç i mirë. Jemi viktimat e Ballkanit dhe të Evropës – kështu ne shqiptarët e kemi projektuar qenien tonë (dhe ende vazhdojmë). E keqja janë të tjerët. Vazhdimisht në historiografinë shqiptare gjejmë viktimizim dhe shumë rrallë mobilizim. Ekzistenca shqiptare është varur shumë pothuajse nga vasaliteti permanent ndaj të tjerëve. Rreshtimi me të fuqishmit çdoherë na ka bërë edhe më të dobët dhe pse jo edhe më armiqësorë me të tjerët. Edhe rreshtimin nuk e kemi pasur unitar, por partikular. Dikush me Perandorinë Osmane, dikush me papatin, dikush me Perandorinë Austro-hungareze, dikush me sllavët e Veriut e të tjerë me të Jugut, e kush me fashizmin, e kush me nazizmin. Pik’ e pesë.

Dhe pikërisht kur në Perëndim filloi riorganizimi i shoqërive feudale, në shoqëri dhe shtete moderne më pastaj, ne shqiptarët (në shumicë) u koncentruam në luftëra të brendshme për ruajtjen e bajraktarllëqeve. Mbase ishin pikërisht shtetet perëndimore (disa) që patën impakt direkt dhe vendimtar në themelimin e dy shteteve shqiptare. Kushedi, ndoshta kjo mund të jetë arsyeja që jemi sjellë dhe ende sillemi me kaq sharlatanizëm ndaj këtyre dy shteteve tona. Siç edhe e dimë nga praktika, nuk mjafton të kesh të njëjtën gjuhë, të njëjtat simbole dhe ta ndash të njëjtën hapësirë gjeografike për ta ndërtuar shpirtin e shoqërisë. Ka diçka që shkon përtej tyre… Diçka që shpesh e neglizhojmë, e që e quajmë përditshmëri. Të jetuarit nën diktatin e sahatit.

Përditshmëria, sidomos ajo moderne, nuk është e përbashkëta jonë (normalisht se janë arsyet dhe argumentet pse ka ndodhur kështu). Jetesa paralele në mes të një bote reale dhe botës ideale njëkohësisht për shqiptarët jashtë Shqipërisë kishte krijuar hendeqe të mëdha, gati skizofreni, sepse idealja ishte opiumi që shpesh e linte nën hije përditshmërinë. Shumë gra e burra kanë vdekë me andrrën që veç njëherë me pa Shqipnin. Ëndrrat këtë rol duket se e kanë dhe shqiptarët e Kosovës jetonin me këtë ëndërr, e disa vdisnin edhe bashkë me të.

Sikurse gjithçka, edhe modernizimi te ne në Ballkan – e sidomos te ne shqiptarët – vjen me vonesë. Meqenëse nuk patëm mundësi të jetonim bashkë fillet e modernizimit, që ishte shumë e rëndësishme për ta krijuar frymën kolektive sociale, u krijuan te ne shumë të panjohura. Për më tepër jetonim edhe në branshe të ndryshme kulturore emancipuese dhe krijuam perceptime të ndryshme për njëri-tjetrin. Kështu që, ende sot e kësaj dite jetojmë edhe nën inercionin e këtyre perceptimeve. Ndarjen që na u imponua nga të tjerët e konsiderojmë ende si një padrejtësi historike dhe mbi këtë mind-set e projektuam edhe bashkimin kombëtar si një e drejtë historike. Mbi këtë diskurs u ndërtua një ngrehinë e pafundme (shpesh irreale) retorike, e cila për mbi një shekull vazhdon ta riciklojë vetveten. Historia është lineare, ekziston vetëm në një projeksion imagjinar ideal, në realitet, në përditshmëri – historia është një mishmash kryqëzimesh dhe të papriturash shpeshherë.

Jetesa e shqiptarëve në Jugosllavi domosdo do të krijojë edhe një model kulturor (dhe jo vetëm), që do të ketë impakt shumë të rëndësishëm në emancipimin e shumanshëm të shoqërisë. Industrializmi do të luajë rol krucial (sidomos kulturor) në modernizimin e shoqërisë kosovare. Hapja ndaj kulturave të reja dhe bashkëjetesa me to do t’i japë një formë ndryshe shoqërisë kosovare. Qasja në botën perëndimore për shqiptarët nën Jugosllavi do të jetë një gjë normale. Konsumimi i modeleve të ndryshme politike, e sidomos kulturore e sociale, do të jetë pothuajse pa limit. Diçka e tillë, jo që nuk ekzistonte për shqiptarin e Shqipërisë, por për më keq se kaq, konsiderohej si armiqësore dhe që duhej luftuar. Për ta konkretizuar këtë: paramendojeni Fadil Bajrajn në Woodstock, festivalin më të madh botëror të muzikës, dhe Fatos Lubonjën në burgun e Spaçit, a që të dy në atë kohë e pëlqenin rock-un. Vitet ‘90 sikur do ta përmbysin këtë situatë: Fadili do të mbetet në një izolim kolektiv, kurse për Fatosin Woodstock-u shfaqet mundësi. Pra, Shqipëria komuniste për kosovarët që dikur e kishin vizituar ishte një rrëfim që nuk duhej treguar, kurse pas bërjes së Kosovës shtet, Shqipëria u bë formalisht/realisht një shtet fqinj. Shpallja e Kosovës shtet sikur e dinamizoi retorikën mbi bashkimin kombëtar. Vazhdon edhe sot, madje me shumë tone populiste, duke u thirrur në një të ashtuquajtur padrejtësi historike dhe që duhet drejtuar.

Andaj, duke u nisur nga kjo çka u tha më lart, del se parulla “Jemi një”, përveçqë është kundërthënëse, është edhe e pasinqertë. “Jemi një” për çfarë? Që flasim të njëjtën gjuhë? Nuk mjafton të jesh vetëm njeri i mirë. “Jemi një” e shpërfaq mungesën, boshllëkun. E vë në dyshim vetveten. Është kundërthënie. Sepse, nëse jemi vërtet një, nuk kemi nevojë për parullën patetike “Jemi një”. Po ta shikojmë më me llupë, “Jemi një”, jo që është parulla që na bashkon, por në fakt është parulla që na ndan. Pse? Sepse një parullë e tillë ka tendencën të na mashtrojë, të na nxjerrë para njëri-tjetrit të pasqaruar e me shumë paragjykime. “Jemi një” tenton t’i fshehë realitetet tona historike që i kishim dikur, e që vazhdojmë t’i kemi edhe sot. “Jemi një” insiston të na lërë nën perspektivën ideale. “Jemi një” e suspendon mundësinë e njohjes mes njëri-tjetrit, sepse e suprimon kritikën. Dyshimi është herezi. “Jemi një” nuk lë hapësirë për debat. Kjo parullë, ose ky diskurs, na pamundëson ta njohim njëri-tjetrin ashtu siç jemi dhe ta pranojmë njëri-tjetrin me të mirat dhe cenet që kemi. Mendoj se kur të çlirohemi nga një mënyrë kaq arbitrare e të menduarit dhe projektuarit, atëherë do të mund të krijojmë hapësira të ndryshme për bashkëpunim cilësor. Deri atëherë do të vazhdojmë të vdesim të lumtur nën hijen e fikut që s’ka ekzistuar asnjëherë.