Jeffrey Epstein mbështeti financiarisht studiuesin e inteligjencës artificiale (IA) Ben Goertzel dhe e ndihmoi atë të siguronte të paktën 8.9 milionë dollarë të Hong Kongut (rreth 1.14 milionë dollarë) në grante nga qeveria e Hong Kongut, sipas “South China Morning Post”.
Emailet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se Epsteini premtoi të paktën 113 mijë dollarë gjatë pesë viteve për të mbështetur iniciativën e IA-së me burim të hapur të Goertzelit. Kjo mbështetje i mundësoi Goertzelit të përmbushte kërkesat e pranueshmërisë për financim publik të kërkimit në Hong Kong.
Ben Goertzel, një shkencëtar amerikan i kompjuterëve, është i njohur për punën e tij në promovimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale. Ai punoi në Hong Kong gjatë viteve 2010 si shkencëtar kryesor në Hanson Robotics, kompania pas robotit humanoid Sophia.
Ai ishte gjithashtu i përfshirë në projekte kërkimore të IA-së në Universitetin Politeknik të Hong Kongut dhe më vonë u kthye në SHBA duke ruajtur statusin e tij të banorit të përhershëm në Hong Kong.
“South China Morning” Post raportoi se lidhja e Goertzelit me Epsteinin filloi në vitin 2001, kur Epsteini financoi një bursë kërkimore.
Midis viteve 2010 dhe 2015, Epstein kanalizoi të paktën 113 mijë dollarë përmes organizatës jofitimprurëse amerikane Humanity+, të cilat më pas u transferuan te Novamente, një kompani në pronësi të Goertzelit. Kjo i lejoi Novamente të vepronte si “sponsori i kërkuar i industrisë” për projektet që aplikonin në Fondin e Inovacionit dhe Teknologjisë të Hong Kongut.
Emailet tregojnë se Goertzel kërkoi vazhdimisht ndihmën financiare të Epsteinit për të përmbushur kërkesat e sponsorizimit. Në vitin 2015, mes një shqyrtimi të ri të veprave penale të Epsteinit, Goertzeli kërkoi 25 mijë dollarë shtesë. Një asistent u përgjigj se “për shkak të mjedisit aktual”, financimi do të pezullohet.
Goertzeli u përgjigj: “Kam parë një valë publiciteti negativ krejtësisht idiot në lajme dhe më vjen keq që ju duhet të merreni me këtë”. Më vonë atë ditë, Epsteini autorizoi transferimin.
Komunikimi midis të dyve vazhdoi deri të paktën në vitin 2018, afërsisht një vit para se Epsteini të arrestohej me akuza federale për trafikim seksual. Ai u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në vitin 2019.
Në komentet për median, Goertzeli shprehu keqardhje. “Duke parë prapa, më vjen keq që e njoha atë djalë, ose që mora paratë e tij, ose që kisha të bëja me të”, tha ai.
“Arsyeja pse çdo shkencëtar u mor me Jeffrey Epsteinin ishte shumë e thjeshtë, marrja e parave për kërkim është e vështirë”, shtoi ai.
“Sidomos në atë kohë, marrja e fondeve për kërkime (inteligjencën e përgjithshme artificiale) ishte pothuajse e pamundur. Kur kërkimi juaj nuk ka në thelb asnjë financim, është e vështirë të thuash jo”, tha Goertzel.