Jean-Paul Sartre nuk ishte thjesht një filozof i shekullit XX. Ai ishte zëri i një epoke të trazuar që kërkonte përgjigje për lirinë, absurditetin dhe përgjegjësinë.
Lindur në Paris më 21 qershor 1905, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në një përballje të hapur me normat, fenë dhe institucionet që kufizonin mendimin. Jeta e tij ishte e ndërlidhur fort me letërsinë, politikën, dashurinë dhe filozofinë. Sartre është figura që mishëroi ekzistencializmin ateist, një filozofi që e vendos njeriun në qendër të gjithçkaje pa Zotin, pa justifikime metafizike, pa fatin të shkruar. Në veprën e tij më të njohur filozofike, “Qenia dhe asgjëja”, ai shkruan se “njeriu është i dënuar të jetë i lirë”. Një liri e egër që e shtyn individin të marrë përgjegjësi për çdo veprim, pa ia faturuar fajin askujt tjetër. As Zotit, as shoqërisë, as trashëgimisë. Në letërsi, ai shkëlqeu me romanin “ T[ vjellat”, ku personazhi Roquentin përballet me absurditetin e ekzistencës.
Rrëfimi i tij është i zymtë, por i kthjellët një rrëfim i krizës shpirtërore që të lind kur kupton se gjithçka është arbitrare. Në teatër, Huis Clos “Pa dalje” solli shprehjen e famshme “Ferri janë të tjerët”, që shpesh është keqkuptuar. Sartre nuk pohon se të tjerët janë problem; ai thekson se nën vështrimin e tyre ne jemi të zbuluar, të gjykuar, të kufizuar. Dashuria e tij e jetës ishte Simone de Beauvoir, një tjetër mendimtare e fuqishme, që nuk ishte “bashkëshortja e filozofit”, por bashkudhëtarja dhe kritika më e mprehtë e tij. Lidhja e tyre e hapur, pa martesë, pa zotërim, ishte në vetvete një eksperiment ekzistencial për të tejkaluar modelet tradicionale të marrëdhënieve. Sartre ishte edhe një figurë politike, shkruan panorama.
Ai refuzoi të pranonte çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1964, duke e cilësuar si një formë të institucionalizimit të mendimit. Mbështeti të majtën radikale, qëndroi kundër kolonializmit francez në Algjeri, dhe nuk iu shmang asnjëherë polemikës publike. I përçmuar nga disa, i nderuar nga shumë, ai mbeti i patundur në bindjet e tij. Megjithatë, Sartre nuk ishte pa kontradikta. Ai kritikoi lirinë borgjeze, por nuk e refuzoi rehatinë personale; mbështeti sistemet socialiste por u zhgënjye thellë nga to. Në fund të jetës, shikimi i tij kishte humbur, por shikimi filozofik ishte më i mprehtë se kurrë. Ai ndërroi jetë në vitin 1980, por mbeti si një fener i mendimit të lirë dhe kritik. Një njeri që nuk kërkoi kurrë që të adhurohej, por që insistoi që të gjithë të mendonin vetë. /Tema