Java e Kulturës Kombëtare në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, nis me çeljen e ekspozitës dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”.
Në kuadër të Javës së Kulturës Kombëtare, e cila organizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, do të prezantohen një sërë aktivitetesh nga 21 nëntori deri më 5 dhjetor.
Të enjten, më 21 nëntor 2025, nga ora 17:00, Java e Kulturës nis me një ceremoni solemne, ku do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit të deritanishëm dhe krijimit të projekteve të reja të përbashkëta në fushën e kulturës, dijes dhe trashëgimisë.
Pas ceremonisë, vend të veçantë zë çelja e ekspozitës dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie” në qendrën “Sotir Kolea”.
E organizuar në nder të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi ndërinstitucional mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës, nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Ekspozita prezanton një përzgjedhje të pasur materialesh historike: gazeta dhe medie të kohës, libra dhe kujtime personale të autorëve, dëshmitarëve dhe gazetarëve; fotografi dhe artefakte autentike nga fronti, jeta në mërgim dhe kthimi i refugjatëve; si dhe një dokumentar të veçantë, me pamje arkivore dhe rrëfim kronologjik të rrugës drejt lirisë.