Raportimet nga Belgjika sugjerojnë se ende nuk është konfirmuar nëse Ardon Jashari do të jetë i disponueshëm për fillimin e stërvitjeve parasezonale të Club Brugge, pasi ai pret zhvillime lidhur me një transferim të mundshëm te Milan.
Milani ka tentuar prej javësh të nënshkruajë me Jasharin, që është edhe tifoz i klubit italian që nga fëmijëria, por negociatat me Club Brugge kanë ngecur.
Klubi belg është i palëkundur në qëndrimin e tij për çmimin prej 40 milionë eurosh, ndërsa oferta e fundit e Milanit, që konsiderohet përfundimtare, është 32.5 milionë euro plus 5.5 milionë euro në bonuse, pra gjithsej 38 milionë euro.
Sipas gazetës HLN, Jashari i është dhënë një pushim më i gjatë për shkak të situatës së negociatave me Milanin.
Club Brugge pritet të nisë stërvitjet zyrtare të parasezonës të martën në bazën e klubit në Belgjikë. Jashari pritet të paraqitet në stërvitje, por HLN thekson se ende mbetet dyshues nëse 22-vjeçari do të paraqitet apo jo.
Megjithatë, raportimet e së hënës bëjnë me dije se nëse Jashari nuk paraqitet, kjo nuk do të ndryshojë qëndrimin e Club Brugge. Klubi belg do të vazhdojë të qëndrojë prapa kërkesës së tyre për çmimin e plotë të transferimit dhe nuk pritet të pranojë oferta më të ulëta./GazetaExpress/