Jansen paralajmëron për spastrim etnik të heshtur ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë - Gazeta Express
string(84) "jansen-paralajmeron-per-spastrim-etnik-te-heshtur-ndaj-shqiptareve-ne-jug-te-serbise"

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 6:50

Jansen paralajmëron për spastrim etnik të heshtur ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 6:50

Aktivisti dhe gazetari holandez për të drejtat e njeriut, Jan Jansen, ka paralajmëruar për një spastrim etnik të heshtur ndaj shqiptarëve në Luginë, përmes një sistemi të vjetër të administrimit të adresave që, sipas tij, po përdoret në mënyrë sistematike për t’i çregjistruar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Në një analizë të publikuar në gazetën “Koha Ditore”, Jansen tregon se ky proces bazohet mbi praktikat e sistemit totalitar të ish-Jugosllavisë, ku “policia ka më shumë fuqi sesa në vendet demokratike” dhe administrata e adresave është nën kontrollin e saj.

“Me këtë ‘armë’ në dorë, policia serbe ekzekuton një spastrim etnik të heshtur,” shkruan Jansen, duke sqaruar se shqiptarët që punojnë jashtë, sidomos në vende si Gjermania, Zvicra apo Austria, çregjistrohen nga regjistrat civilë për shkak të mungesës së tyre fizike gjatë inspektimeve të policisë jashtë sezonit të verës.

Sipas tij, kjo procedurë ndjek një logjikë të rreptë burokratike: policia kontrollon adresat, nuk gjen askënd, rikthehet pas disa javësh për një verifikim të dytë, dhe në mungesë të banorëve, kryen çregjistrimin. “Ata që punojnë jashtë nuk e dinë, derisa në çastin kur kanë nevojë për ndonjë dokument, dhe atëherë e marrin vesh se nuk kanë asnjë të drejtë më,” thekson ai.

Jansen kritikon edhe përbërjen etnike të policisë në jug të Serbisë, që sipas tij më nuk përfaqëson realitetin demografik në rajon. “Shumë prej shqiptarëve në polici kanë dalë në pension dhe nuk janë zëvendësuar me shqiptarë, por me serbë. Në këtë mënyrë policia nuk reflekton më raportet etnike,” thotë ai.

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi e ka cilësuar këtë fenomen si spastrim etnik, duke theksuar se “bëhet në një shkallë të sistematizuar”.

Pasi kishte ngritur çështjen në Ministrinë e Jashtme të Holandës, Jansen thotë se zyrtarët holandezë kishin marrë një përgjigje nga autoritetet serbe, të cilët mohuan diskriminimin etnik, duke thënë se “kjo ndodh edhe me serbë që punojnë jashtë.” Por sipas Jansen, edhe nëse kjo është e vërtetë, “problemi është edhe më i madh, sepse kjo përbën një shkelje të të drejtave të njeriut.”

Nga ana tjetër, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë reaguar në mënyrë institucionale përmes tri komunave shqiptare dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar. “Ata kanë protestuar edhe në dhjetor të vitit të shkuar, duke bërë një demonstratë. Por, me sa di unë, situata nuk ka ndryshuar,” thekson ai.

Rasti i Safet Demiroviqit nga Medvegja, i cili e çoi çështjen e tij deri në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë dhe e humbi, përbën një shembull konkret të këtij fenomeni. “Ai nuk ka asnjë të drejtë më në Serbi dhe është tani një person pa asnjë nënshtetësi,” thuhet në raportin e Balkan Insight nga nëntori i vitit 2014.

Jansen sjell në vëmendje shembullin e Holandës si model për administrimin e adresave pa shkelje të të drejtave të qytetarëve. Ai thekson se në Holandë, “administrata e adresave është në duart e komunave, por nëpunësit raportojnë në gjykatë, jo te pushteti lokal, çka garanton pavarësi dhe integritet.”

Ndryshe nga Serbia, në Holandë një qytetar që jeton jashtë nuk çregjistrohet, por administrohet si ‘ka shkuar në vend të panjohur’, dhe regjistrohet menjëherë kur kthehet.

Jansen beson se ndërhyrja ndërkombëtare është thelbësore, sidomos nga BE dhe SHBA, duke e lidhur këtë çështje me dialogun për të drejtat e serbëve në Kosovë.

“Qeveria serbe kërkon të gjithë të drejtat e njeriut për serbët në Kosovë, dhe me të drejtë. Por ato të drejta u mohohen shqiptarëve në Serbi. Kjo situatë asimetrike është e tmerrshme dhe kaq antilogjike sa nuk mund të vazhdohet më,” përfundon ai.