Unë nuk kërkoj vetëm vetminë, sepse poezia nuk mund të jetë e shkëputur krejtësisht, e ndarë nga problemet jetike dhe vendimtare të botës. Poezia ime, teli i së cilës vibron në universin tim të brendshëm, shprehet, njëkohësisht, në rrafshe të ndryshme: ontologjike, sociale, psikologjike. Përzien kujtimet historike dhe ndjenjat imediate, për të afruar gradualisht idetë, në një kohë historike dhe subjektive, të fragmentuara dhe, përmes çdo lloj veçimi, të prodhojë një imazh uniteti dhe vazhdimësie të njeriut dhe historisë së tij …
Pra, hulumtimi poetik nuk është vetmia. Në poezi, poeti nuk ecën kurrë vetëm … Por, nëpërmjet vetmisë së vet, hyn në kontakt me vetminë e secilit, me vetminë e të gjithëve.
Dhe midis gjithë këtyre vetmive, komunikimi më autentik realizohet në hapësirën e poezisë … Në këtë mënyrë, një poezi gjen gjithmonë dialogun e gjallë, gjen marrëveshjen me kombin e vet dhe me gjithë popujt e botës, në të gjitha gjuhët, përmes ndërmjetësimit të përkthimeve.
Meqë ajo shpreh një ndjenjë të përbashkët, një konceptim të përbashkët, një dëshirë të përbashkët për të komunikuar dhe zgjidhur dallimet, sepse përmban figurën thelbësore që na mundëson të njohim të tjerët …
Poezia është kështu marrëdhënia njerëzore më e përmbushur, e ndërtuar më mirë, më e rëndësishmja. Flet me secilin në territorin e veçantë të vetmisë së vet. Që është i përbashkët. Është hapësira e banuar nga bashkësia njerëzore. Për këtë, objektivi i përhershëm i poezisë është që t’u flasë të gjithëve, të prekë gjithë botën.
Por poezia është një krijim përherë në ndryshim, përherë në kantier. /Hejza