Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, ka theksuar se Qeveria e re e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të rifituar besimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve evropianë, në mënyrë që të përshpejtojë proceset integruese të vendit.
Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, Shea ka thënë se mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë është thelbësore për të siguruar njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme globale.
Sipas tij, në këmbim të angazhimit të Prishtinës për forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, SHBA-ja dhe vendet evropiane duhet të punojnë më intensivisht për të avancuar njohjet e reja dhe për të shtyrë përpara anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Shea thekson se nevojiten strategji të qarta dhe një diplomaci publike ndërkombëtare më efektive për të argumentuar anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratë.
Në planin e brendshëm, ai ka rekomanduar që Qeveria e re t’i ofrojë komunitetit serb një shkallë të qeverisjes lokale, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke shmangur, siç është shprehur ai, trajtimin e këtij komuniteti si një “kolonë të pestë”.
“Joshja funksionon më mirë se shtrëngimi”, ka përfunduar Shea, duke nënvizuar nevojën për qasje më përfshirëse dhe ndërtim të besimit në raportet ndëretnike dhe ndërkombëtare.