Për shumë britanikë, të shkosh në palestër një herë në javë konsiderohet sukses. Por një 101-vjeçare nga Spanja thotë se sekreti i jetëgjatësisë së saj është ushtrimi i përditshëm – dhe një dashuri e madhe për vaj ulliri.
Iñaxi Lasa, nga Beasain i Spanjës, ka pasur gjithmonë një stil jete aktiv dhe sot është e vendosur “të jetë personi më i vjetër në palestër, sesa më i riu në një shtëpi pleqsh”.
Ajo ka kaluar Luftën e Dytë Botërore, kancerin e gjirit, dy fraktura në ije, operacion në sy dhe madje një përballje me Covid-in në moshën 98-vjeçare.
Edhe pse jeton me osteoartrit – një gjendje që ngurtëson dhe dëmton kyçet – ajo nuk e humb asnjë ditë stërvitjen.
Iñaxi filloi të shkonte në palestër në moshën 94-vjeçare, duke përdorur pesha për të ndërtuar muskuj, për të forcuar kockat dhe për të ngadalësuar rrezikun e demencës.
“Por unë kam qenë shumë aktive edhe më herët,” tregon ajo. “Përdorja biçikletë stacionare dhe ecja shumë. Pastaj, kujdestarja dhe djali më inkurajuan të shkoja në palestër – dhe sinqerisht, është gjëja më e mirë që kam bërë vitet e fundit.”

“Dimrit zgjohem në orën 08:00 dhe dal për një shëtitje, nëse nuk bie shi. Më pas shkoj në palestër me djalin tim. Kalojmë dy orë duke bërë stërvitje force; nuk bëjmë ushtrime kardio atje,” shton ajo.
“Stërvitja e forcës më bën të ndihem gjallë, dhe më mban edhe mendjen të shëndoshë.”
Shkenca e moshës së gjatë
Ushtrimet e forcës – qoftë me pesha apo vetëm me peshën e trupit – konsiderohen prej kohësh ndër parashikuesit kryesorë të jetëgjatësisë. Studimet tregojnë se dobësia muskulore, sidomos në këmbë, lidhet me rrezik më të lartë vdekshmërie, sëmundje të zemrës dhe demencë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të paktën 150 minuta aktivitet të moderuar në javë, ndërsa NHS këshillon stërvitje forcë për të gjithë grupet kryesore muskulore të paktën dy herë në javë.


Ndërsa stërvitjet dy-orëshe të Iñaxit aktivizojnë gjithçka: muskujt e mëdhenj, sistemin kardiovaskular, neuromotor dhe skeletor – duke përmirësuar shëndetin e kockave dhe duke ngadalësuar dobësimin e tyre me moshën.
“Ushtrimi është gjëja më e mirë që një person i moshuar mund të bëjë për shëndetin e tij,” thotë ajo. “Është ilaçi më i mirë për jetë të gjatë.”
Shkencëtarët madje kanë zbuluar se ngritja e peshave vetëm tre herë në javë mund ta ulë moshën biologjike të njeriut me pothuajse tetë vjet.
Nga palestra në TikTok
“Në fillim kisha dy trajnerë personalë, por tani i bëj ushtrimet vetë,” tregon ajo.
Që prej fillimit të udhëtimit të saj në fitness, Iñaxi ka mbledhur mbi 112 mijë ndjekës në TikTok, me ndihmën e djalit të saj.

“E nisëm thjesht si lojë, për qejf. Nuk e menduam kurrë që dikush do t’i ndiqte videot tona,” thotë ajo.
Sot, ajo përdor platformën e saj “për të fuqizuar njerëzit e moshuar dhe për t’i dhënë zë një komuniteti që është goditur fort nga jeta.”
“Më pëlqen shumë që jam shembull për të tjerët,” shton ajo. “Kështu më shkruajnë shpesh.”
Sekreti i jetëgjatësisë: ushtrimi dhe dieta mesdhetare
Por Iñaxi nuk ia atribuon jetëgjatësinë vetëm palestrës. Ajo beson se mënyra e të ushqyerit ka luajtur rol kyç.


“Të jesh aktiv është më e rëndësishmja, por edhe dieta ka shumë ndikim,” thotë ajo.
“Jetojmë në fshat dhe kemi shumë fruta e perime. Ndërsa mish të bardhë hamë, miell dhe sheqer pothuajse fare.”
Dieta mesdhetare – e pasur me perime, yndyrna të shëndetshme dhe mish të dobët – njihet globalisht si një nga arsyet pse spanjollët jetojnë gjatë dhe me pak sëmundje. Studimet e fundit tregojnë se ndjekja e rreptë e kësaj diete ul rrezikun e vdekjes së parakohshme me mbi 20%.
Shkencëtarët nga Madridi e kanë identifikuar vajin e ullirit si një nga katër ushqimet kryesore që ndikon më shumë në uljen e vdekshmërisë.
Mesazhi i Iñaxit për të rinjtë
Tani, si një nënë e ve me një djalë dhe pa nipër, ajo synon të frymëzojë brezat e rinj të kujdesen për trupin e tyre që herët.


“E rëndësishmja është të kesh një qëllim, sado i vogël qoftë,” thotë ajo.
“Duhet motivim për t’u ngritur nga shtrati dhe për të bërë gjëra. Për këtë duhet të jesh funksional. Palestra dhe ushtrimet ndihmojnë në gjithçka.”
“Jeta është një luftë e vazhdueshme. Duhet të luftosh me vendosmëri, të mos dorëzohesh kurrë, të bëhesh i fortë përballë vështirësive.
Duhet t’i shohësh zgjidhjet para problemeve – edhe kur kjo është e vështirë.” /GazetaExpress/

Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...