Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu, ka qenë i pritshëm. Sipas tij, kryeparlamentarja Haxhiu kishte gabuar me një kërkesë të tillë, për shkak se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, i cili ka përcaktuar se është në vullnetin e deputetëve që të qëndrojnë në sallë apo jo gjatë votimit për presidentin.
“Ne, si IKD, kemi treguar që nuk është e nevojshme që një kërkesë e tillë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse dihet se me aktgjykimet e mëparshme është konfirmuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë, veçanërisht në rastin e zgjedhjes së presidentit dhe të votimit të Qeverisë së Kosovës. Një kërkesë e tillë, e cila është prezantuar në ditën kur janë propozuar dy kandidatët për president, nuk ka qenë e drejtë, sepse deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë për një kandidat të caktuar. Kërkesa nuk do të duhej të bëhej as në seancë dhe as në Gjykatën Kushtetuese.”, tha Jakaj.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me nëntë deputetë, i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mos-pjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme dhe mosvotimin për zgjedhjen e Presidentit, të mbajtur më 5 mars 2026, kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]. /rtv21