“Ja skic-programi socialdemokrat me platformën që armiku Mehmet Shehu do të dobësonte pushtetin popullor” / Zbulohet akt-akuza e Prokurorit Rrapi Mino në ‘83-in - Gazeta Express
string(155) "ja-skic-programi-socialdemokrat-me-platformen-qe-armiku-mehmet-shehu-do-te-dobesonte-pushtetin-popullor-zbulohet-akt-akuza-e-prokurorit-rrapi-mino-ne-83-in"

“Ja skic-programi socialdemokrat me platformën që armiku Mehmet Shehu do të dobësonte pushtetin popullor” / Zbulohet akt-akuza e Prokurorit Rrapi Mino në ‘83-in

Gazeta Express

08/08/2020 20:04


Është publikuar një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi I Ministrisë së Punëve të Brendëshme (Arkivi Sistemit), që i përket vitit 1983 ku ndodhet akt-akuza e formuluar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që mban firmën e Prokurorit të Përgjithshëm, Rrapi Mino, lidhur me akuzat ndaj tre të pandehurve: Idriz Seit Sadikaj, Qamil Mane Islamaj dhe Duro Ismail Shehu, të cilët akuzoheshin si bashkëpunëtorët më të afërt të ish-kryeministrit Mehmet Shehu dhe kishin mbajtur të fshehur një skic-program socialdemokrat që “armiku Mehmet Shehu kishte formuluar që në vitin 1942 dhe duke e përdoruar atë më pas si platformë kudërrevolucionare për të dobsuar pushtetin popullor”.

Kush ishin Seitaj, Islamaj dhe Duro Shehu dhe akuzat e ngritura ndaj tyre si “bashkëpunëtorët më të ngushtë të armikut dhe poliagjentit Mehmet Shehu që nga periudha e Luftës Nacional-çlirimtare”, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur kultin dhe rolin e armikut Mehmet Shehu gjatë Luftës në krahinën e Mallkastrës, duke errësuar rolin e Partisë?!

Lexo Edhe:

ekonomia-gjyqi00085

“Këto veprime sabotuese të orientimeve dhe vijës politike të Partisë për zhvillimin e Luftës Nacionalçlirimtare, e kanë patur burimin në mendimet armiqsësore të armikut Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Idriz Seiti dhe Qamil Mane, të cilët ishin të parët që u lidhën me të kur erdhi nga jashtë shtetit dhe që janë aktivizuar në veprime të përbashkëta me njëri-tjetrin gjatë periudhës së Luftës. Për të realizuar veprimet e tij armiqësore në periudhën e Luftës e në vazhdim, armiku Mehmet Shehu ka pasqyruar mendimet e tij në një skicë-program, të cilin ja ka dorëzuar të pandehurit Idriz Seiti që me takimin e tij të parë në gusht të vitit 1942.

Enver-Hoxha-dhe-Mehmet-Shehu-kur-ky-i-fundit-ishte-Minister-i-Brendshem-1953

Mendimet e shprehura në këtë skicë-program socialdemokrat, janë konkretizuar nëpërmjet kompromiseve, tolerimeve, dhe bashkëpunimit me reaksionin që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, veprime këto të kryera nga armiku Mehmet Shehu me pjesëmarrjen edhe të dy të pandehurve Idriz Seiti dhe Qamil Mane. I pandehuri Idriz Seiti ka lexuar dhe komentuar përmbajtjen e skicë-programit, duke e ruajtur atë dhe shumëfishuar deri në vitin 1973, kohë kur ia ka ridorëzuar autorit, armikut Mehmet Shehu, i cili e ka përdorur si platformë kundërrevolucionare për të dobësuar shtetin e diktaturës së proletariatit dhe Partinë e Punës të Shqipërisë”.

Enver-Hoxha-Hysni-Kapo-Mehmet-Shehu-1945-Tirane

Kështu shkruhet në mes të tjerash në akt-akuzën e ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e përfaqësuar dhe firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, ndaj tre të pandehurve Idriz Seiti (Sadikaj) Qamil Mane (Islamaj) dhe Duro Ismail Shehu, akatakuzë që mban datën 13.X.1983 dhe është nxjerrë së fundi nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme.

FAKSIMILE_MEHMET_SHEHU

Po kush ishin Seiti, Islamaj dhe Shehu, cila ishte e kaluara e tyre dhe çfarë lidhjesh kishin ata me Kryeministrin Mehmet Shehu, i cili ishte gjetur i vrarë në dhomën e gjumit të vilës së tij, pak kohë më parë se ata të tre të arrestoheshin dhe të merreshin të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme? Cilat ishin akuzat që ishin formualuar asokohe nga ana e Hetuesisë për Mehmet Shehun, vëllanë e tij Duro Shehun, ish-oficer i lartë i Aviacionit Ushtarak Shqiptar dhe dy nga njerzit e bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit shqiptar që nga koha e Luftës, ushtarakët e lartë Idriz Seit Sadikaj e Qamil Mane Islamaj?

Të gjitha këto mistere janë të “zbardhura” në atë akt-akuzë të formuluar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës Pupullore Socialiste të Shqipërisë e kryesuar nga Rrapi Mino, dokument të cilin Memorie.al e publikon me shkurtime duke e filluar që nga numri i sotëm.

FAKSIMILE_MEHMET_SHEHU2

Siç do të shohim nga dokumenti në fjalë, ato akuza që janë ngritur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj të pandehurve, Seiti, Islamaj dhe Shehu, si dhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë që kanë deponuar në hetuesi ndaj tyre, janë tepër të dyshimta, sepse ato janë marrë në kushte jo normale, por me anë të të dhunës fizike e psiqike dhe torturavae nga më çnjerzoret që u janë bërë atyre gjatë procesit hetimor.

Idriz-Seiti.-2

Kjo gjë është dëshmuar edhe nga vetë të pandehurit e këtij procesi, si dhe nga disa hetues e ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendëshme dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, që kanë pasur lidhje me procesin në fjalë, të cilët midis të tjerave janë shprehur duke dalë në të njëjtin konkluzion: “Ato akuza që ngrinte Enver Hoxha ndaj bashkëpunëtorëve të tij, ne duhet t’i rregullonim nga ana ligjore, për t’I dërguar në gjyq”. Kështu ka ndodhur dhe në këtë kontekst është hartuar edhe e gjithë akuza ndaj të pandehurve, Seiti, Islamaj dhe Shehu, ku del qartë se synimi kryesor i regjimit komunit të Enver Hoxhës, nuk ka qenë thjesht dënimi i tyre, por me anë të atij procesi, Enver Hoxha, donte të godiste vetë kryeministrin Mehmet Shehu, të cilin e kishte shpallur armik dhe poliagjent dhe akuzat ndaj tij të bëheshin sa më të besueshme në popull.

Idriz-Seiti.-3

Atë “skemë”, Enver Hoxha e kishte përdorur në të gjitha rastet, (që nga mbarimi i Luftës) kur kishte filluar goditjen ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, si: Nako Spiro, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Koci Xoxe, Pandi Kristo, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri gega, Dali Ndreu, Liri Belishova, Koço Tashko, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Dashnor Mamaqi, Koço, Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela, etj.

Idriz-Seiti.-5

Të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre dhe dokumentet e ndryshme, të cilat janë botuar herë çdo ditë në faqet e Memorie.al, ashtu dhe këto që po publikojmë nga numri i sotëm për tre nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, s’janë gjë tjetër veçse pjesë e “mekanizmit” që përdorte dhe përdori Enver Hoxha gjatë gjithë periudhës së tij për eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, ashtu siç kishte bërë dikur “mësuesi” dhe babai i tij shpirtëror, Josif Visiaranoviç Stalin në Bashkimin Sovjetik.

         Akt-akuza e Prokurorisë së Përgjithëshme
                         Akt-akuzë

Kundër të pandehurve

  1. Idriz Seit Sadikaj
  2. Qamil Mane Islamaj
  3. Duro Ismail Shehu

Akuzohen: Se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e sabotimit të vijës politike të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe i pandehuri Duro Shehu ka kryer edhe veprën penale të kontrabandës në përpjestime të mëdha në shumën 11937,50 lekë, të parashikuara si vepra penale nga Nenet 53 e 13, 72 / II të Kodit Penal.

Në mbështetje të veprimeve armiqësore të kryera nga të pandehurit Idriz Seit Sadikaj, Qamil Mane Islamaj dhe Duro Ismail Shehu, sipas materialeve dhe dokumenteve të administruara filluan hetimet dhe me sanksionim të Prokurorit të Përgjithshëm u arrestuan tre të pandehurit e sipërpërmendur dhe mbasi u kryen veprimet e nevojshme hetimore, fajësia e tyre u vërtetua si më poshtë:

Të pandehurit Idriz Seit (Sadikaj), Qamil Mane (Islamaj) dhe Duro Shehu kanë patur mendime armiqësore në vetvete, të cilat gradualisht i kanë pasqyruar nëpërmjet veprimeve të përbashkëta të tyre, të frymëzuara edhe nga armiku Mehmet Shehu. Ata që gjatë luftës Nacional-çlirimtare, nëpërmjet tolerimeve dhe kompromiseve me reaksionin shqiptar dhe në vazhdim deri vitet e fundit, kur mendimet e tyre armiqësore i kanë konkretizuar si komision i përbashkët në përmbajtjen e një historiku të Luftës Nacionalçlirimtare në zonën e Mallakastrës, kanë kryer veprime sabotuese në dëm të vijës politike të Partisë.

Që në vitin 1942, ndërsa i pandehuri Qamil Mane, si anëtar i Partisë fashiste takoi dhe mori nga Kuestura e Tiranës armikun Mehmet Shehu i pandehuri Idriz Seiti, si kriminel dhe përdhunues i popullit të zonës së Çorushit të Mallakastrës, me vajtjen e armikut Mehmet Shehu në Çorrush u lidh menjëherë me të dhe bashkë me njëri tjetrin kanë kryer edhe veprime armiqësore në sabotim të vijës politike të Partisë, lidhur me formimin e këshillave Nacional-çlirimtare, duke vendosur në krye eksponentë të reaksionit dhe të fashizmit të zonës së Mallakastrës.

Ndërsa nga njëra anë vendosnin krerë të reaksionit në këshillat Nacional çlirimtare, nga ana tjetër armiku Mehmet Shehu, nëpërmjet të pandehurit Qamil Mane, bënte ndërhyrje për t’u lidhur dhe bërë kompromis me eksponentin tjetër të reaksionit Isa Toskën, kurse gjatë veprimtarisë së tyre gjoja pro luftës Nacional-çlirimtare, armiku Mehmet Shehu nuk ka luftuar për të asgjësuar 8 (tetë) postat e Xhandarmërisë në zonën e Mallakastrës, por ato u lanë të lira dhe ikën “pa çak pa bamp” sikurse shprehet edhe vetë i pandehuri Idriz Seiti si pjestar i çetës së tij.

Këto veprime sabotuese të orientimeve dhe vijës politike të Partisë për zhvillimin e Luftës Nacionalçlirimtare, e kanë patur burimin në mendimet armiqsësore të armikut Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij Idriz Seiti dhe Qamil Mane, të cilët ishin të parët që u lidhën me të kur erdhi nga jashtë shtetit dhe që janë aktivizuar në veprime të përbashkëta me njëri-tjetrin gjatë periudhës së luftës. Për të realizuar veprimet e tij armiqësore në periudhën e Luftës e në vazhdim, armiku Mehmet Shehu ka pasqyruar mendimet e tij në një skicë-program, të cilin ja ka dorëzuar të pandehurit Idriz Seiti që me takimin e tij të parë në gusht të vitit 1942.

Mendimet e shprehura në këtë skicë-program socialdemokrat, janë konkretizuar nëpërmjet kompromiseve, tolerimeve, dhe bashkëpunimit me reaksionin që gjatë Luftës Nacional-çlirimtare, veprime këto të kryera nga armiku Mehmet Shehu me pjesëmarrjen edhe të dy të pandehurve Idriz Seiti dhe Qamil Mane. I pandehuri Idriz Seiti ka lexuar dhe komentuar përmbajtjen e skicë-programit, duke e ruajtur atë dhe shumë-fishuar deri në vitin 1973, kohë kur ia ka ridorëzuar autorit, armikut Mehmet Shehu, i cili e ka përdorur si platformë kundër-revolucionare për të dobësuar shtetin e diktaturës së proletariatit dhe Partinë e Punës të Shqipërisë.

I pandehuri Idriz Seiti nëpërmjet veprimeve të përbashkëta dhe në vazhdim duke u bërë mbartës, zbatues, komandues dhe pasqyrues i skicë-programit si dhe si pjestar aktiv i komisionit të përbërë edhe nga të pandehurit Qamil Mane dhe Duro Shehu, të cilët kanë shkruar historikun e Luftës së popullit të Çorrushit, duke shtrembëruar historinë, kanë sabotuar porositë dhe orientimet e Partisë gjatë Luftës dhe në vazhdim.

Pozicioni armiqësor i të pandehurit Idriz Seiti në dëm të vijës politike të Partisë, vërtetohet veç shpjegimeve të tij edhe me mjaft prova materiale dokumentare të gjetura, të cilat janë ruajtur për të realizuar qëllimet e tij kundërrevolucionare. I pandehuri Idriz Seiti, veç skicë-programit armiqësor të armikut Mehmet Shehu, ka ruajtur edhe dokumente të tjera armiqësore, përmbajtja e të cilave është në kundërshtim me vijën e Partisë, orientimet dhe direktivat e saj.

Kështu ai ka konservuar një korrespondencë që i ka dërguar armiku Tuk Jakova gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, që mban datën 30.03.1944, dokument i cili që në atë kohë nxjerr në shesh pikëpamjet oportuniste armiqësore të armikut Tuk Jakova, të cilat i ka realizuar nëpërmjet të pandehurit Idriz Seiti. Në këtë dokument ai porosit të pandehurin: “Lajmëroni repartet e ndryshme të pezullojnë konfiskimet në shtëpitë e të arratisurve”.

Veç sa më sipër, i pandehuri Idriz ka ruajtur edhe korrespondencë me armikun Mehmet Shehu, letërkëmbime dhe porosi, të cilat i janë gjetur në kontrollin e banesës rreth 12 muaj mbas deklarimit nga Partia si armik të Mehmet Shehut, dokumente të cilat i ka ruajtur për t’iu kundërvënë Shtetit dhe Partisë.

Duke qenë njeriu më i afërt i armikut Mehmet Shehu, bashkëpunëtor i ngushtë i tij që gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, i pandehuri Idriz Seiti, si anëtar i komisionit të përbërë edhe nga të pandehurit Qamil Mane dhe Duro Shehu, gjatë përpilimit të historikut të luftës të popullit të Çorrushit me qëllim kundërrevolucionar dhe sabotues të vijës së Partisë, ka shtrembëruar historinë.

Këta tre të pandehur, duke denigruar rolin udhëheqës, drejtues, organizues dhe frymëzues të Partisë Komuniste Shqiptare, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, kanë kryer kultin e individit të armikut Mehmet Shehu dhe i’a dedikuan atij gjithë rolin e Luftës në zonën e Çorrush-Mallakastrës. Këta të pandehur, armiqësia ndaj Partisë dhe Shtetit të diktaturës së proletariatit, i ka bërë aq konsegunet sa faktet historike i përmbysin me kokë poshtë.

Edhe vetë armiqtë e popullit shqiptar e dinë se Partia Komuniste Shqiptare më 8 nëntor 1941 u themelua. Kur si rezultat i punës paraprake të Partisë kishte filluar lufta e popullit shqiptar kundër fashizmit dhe mori vrull mbas themelimit të PKSH-së, ku ajo u bë drejtuese, organizuese dhe frymëzuese aktive e popullit në luftën për çlirim.

Dhe ndërsa lufta kishte filluar, Partia drejtonte dhe luftonte, armiku Mehmet Shehu erdhi në gusht të vitit 1942, kur në të gjithë vendin kishte shpërthyer lufta e popullit për çlirim nga fashizmi. Por të tre të pandehurit, në historikun e përpiluar prej tyre, injorojnë faktet me qëllime armiqësore sabotuese të njërës nga faqet më të lavdishme të popullit dhe Partisë tonë, atë të Luftës Nacionalçlirimtare.

Ata duke mohuar rolin e Partisë, armiqësisht atribuojnë rolin e armikut Mehmet Shehu në zhvillimin e kësaj lufte duke u shprehur veç të tjerave: “Çorrushiotët pritnin me padurim një udhëheqje..që t’i organizonte dhe t’i drejtonte” dhe në vazhdim, me një titull të veçantë, shkruajnë më poshtë: “Kthimi i Mehmet Shehut në Çorrush”, ku në 5 faqe vazhdojnë t’i thurin lavde armikut Mehmet Shehu e familjes së tij.

I pandehuri Idriz Seiti, duke qenë më i avancuar në pikëpamje armiqësore të përbashkëta me dy të pandehurit e tjerë, të shprehura dhe kurdisur bashkarisht në konsultat me njëri-tjetrin, përpilon edhe një shtojcë historiku prej 18 faqesh me iniciativën e tij për ta shkrirë në përmbajtjen bazë të historikut bazë të këtij komisioni, i cili me figura letrare e konsideron ardhjen e armikut Mehmet Shehu nga jashtë shtetit për fatet e popullit Shqiptar, si një “Odise”.

Dhe për më tepër, mendimet e shprehura për “Odisenë” e të pandehurit Idriz Seiti që armikun Mehmet Shehu, ky i pandehur, së bashku me dy të pandehurit e tjerë i kanë ruajtur edhe mbas vetvrasjes së armikut Mehmet Shehu, kohë kur Partia dhe populli e cilësuan armik. Kjo tregon se këta armiq nuk kanë dashur të heqin dorë nga veprimet e tyre armiqësore, në sabotim të vijës politike të Partisë dhe në përjetësim të figurës së armikut Mehmet Shehu.

Këtë tregojnë më së miri faktet. Ndërsa i pandehuri Idriz Seiti ruante në shtëpinë e tij një arkiv me dokumenta armiqësore të kohës së Luftës, duke përfshirë edhe historikun armiqësor të përpiluar nga vetë ai dhe komisioni, i pandehuri Qamil Mane këtë historik me përmbajtje sabotuese të historisë dhe vijës politike të Partisë, ia dorëzoi për ruajtje kunatës së vetë me porosi që “ti ruante edhe pas vdekjes së tij”. Që në vitin 1942, i pandehuri Qamil Mane Islamaj, duke qenë antar i Partisë Fashiste, kishte shkuar dhe kishte marrë nga Kuestura e Tiranës, Mehmet Shehun.

Për të realizuar veprimtarinë e tij armiqësore në periudhën e Luftës e në vazhdim, armiku Mehmet Shehu kishte pasqyruar mendimet e tij në një skicë-program të cilin ia kishte dorzuar të pandehurit Idriz Seiti që në takimin e parë më të në gushtin e vitit 1942. Atë skicë-program me përmbajtje social-demokrate, armiku Mehmet Shehu ishte përpjekur për ta vënë në jetë sëbashku me dy bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Sadikaj dhe Islamaj, të cilët e propagandonin atë vazhdimisht. Të dy të pandehurrve Islamaj e Sadikaj, pas arrestimit iu gjetën në shtëpi një arkiv i tërë me dokumenta armiqësore dhe Qamili i kishte fshehur ato tek kunata e tij, duke i thënë që t’i ruante ato edhe pasi ai të kishte vdekur. Po kështu Idriz Seitit, iu gjetën në shtëpi edhe dokumnete kompromentuese për lidhjet e tij me armikun Tuk Jakova.

Këto fakte vërtetojnë se të pandehurit kanë dashur të sabotojnë vijën e Partisë dhe përjetësojnë armikun Mehmet Shehu. Dhe për të tre këta nuk ka se si të ndodhë e kundërta. Ata kanë qenë jo vetëm me lidhje gjaku me njëri tjetrin dhe armikun Mehmet Shehu, ishte epiqendra, rreth të cilit janë kryer veprimet e tyre armiqësore, por edhe bashkëpunëtorë ne veprime dhe mendime. Vetë i pandehuri Idriz Seiti është pranuar në Parti në vitin 1942, nga armiqtë Dushan Mugosha dhe Mehmet Shehu, gjë që shprehet qartë në përmbajtjen e historikut.

I pandehuri Duro Shehu vëllai i armikut Mehmet Shehu dhe përkrahës e frymëzues aktiv i mendimeve armiqësore të shprehura në përmbajtjen e historikut. Këto fakte tregojnë qartë edhe predispozicionin armiqësor, sabotues të këtyre tre të pandehurve, në mbrojtjen, përjetësimin dhe nxjerrjen mbi Partinë të armikut Mehmet Shehu, veprime këto të kryera prej tyre gjatë Luftës, para vrasjes dhe mbas vetvrasjes dhe deklarimit si armik të Mehmet Shehut.

Një analizë të provave që vërtetojnë fajësinë e tre të pandehurve mbi krimin e sabotimit të vijës politike të Partisë së Punës të Shqipërisë i referojmë si më poshtë:

Në deklarimet e tij të datës 18.3., dëshmitari H. A. thotë: “Në historikun e fshatit Çorrush injorohet vija e Partisë, ulet roli i masës së popullit gjatë luftës nacional çlirimtare në zonën e Mallakastrës, prandaj ky historik nuk i shërben edukimit të masave dhe brezave të ardhshëm. Në të nga fillimi e deri në fund del i theksuar kulti i kryeagjentit Mehmet Shehu dhe i familjes së tij dhe anëtarëve të këtij historiku. Kur në historikun prej 50 faqesh, mbi 10 faqe i kushtohen biografisë së armikut Mehmet Shehu, për dhjetra dëshmorë nuk flitet asgjë mbi aktet e tyre historike, veç një listë emërore të vendosur në fund të historikut.

Edhe në materialin e shkruajtur nga i pandehuri Idriz Seiti prej 18 fletësh, dëshmimtari H. A. deklaron se “… ai është denigrues për punën e madhe të Partisë e masave, në Luftën Nacional-çlirimtare nën udhëheqjen e Partisë”. Duke shkruar i pandehuri Idriz, se ardhja e Mehmet Shehut e lidhi përjetë popullin e Çorrushit me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, lë të kuptohet se pa armikun Mehmet Shehu, populli i fshatit Çorrush nuk do të lidhej me Partinë.

Edhe në faqen 13 të materialit i pandehuri Idriz shprehet se: “Në atë kohë vegjëlia e Çorrushit nuk kishte asnjë mbështetje tjetër moralo-politike përveç familjes së Shehajve dhe djalit të saj revolucionar Mehmet”. E vërteta është, thotë ky dëshmimtar, se populli i Çorrushit ka qenë dhe mbetet një popull trim e revolucionar që ka përkrahur Luftën Nacionalçlirimtare, ka përbuzur dhe luftuar shfrytëzimin.

Dëshmimtari Sh. H. në process-dëshminë e tij të datës 19.3.1983, ndër të tjera thotë:”… Historiku i Çorrushit, nga autori është shkruar duke u nisur nga pozita subjektiviste e pa partishmëri. Në të janë injoruar ngjarjet dhe dokumentat kryesore të Partisë, të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. E gjithë kjo është bërë për të nxjerrë në plan të parë figurën e armikut Mehmet Shehu, të familjes së tij e të anëtarëve, duke denigruar rolin e Partisë.

Ky historik s’ka vlera edukative për brezat e ardhshëm, por përkundrazi sjellë përçarje midis çorushjotëve dhe fshatrave përreth. Më poshtë dëshmitari Sh. H. jep edhe argumentimet përkatëse. “Në historik, nga të pandehurit është shkruar: “Shkëndija e parë për ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare në Mallakastër u ndez me ngritjen e Këshillit të fshatit Çorrush nga Mehmet Shehu”. Kjo thotë dëshmitari, është një fyerje si për popullin e Çorrushit dhe atë të Mallakastrës, se shkëndijën e parë e dha thirrja e prillit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe më vonë në vendimet e Konferencës së Pezës.

Autorët e historikut injorojnë punën e forumeve dhe të organizatave të Partisë dhe aq bie në sy kjo sa që Komitetin e Partisë së Qarkorit të Vlorës e pagëzojnë me emër tjetër: “Komiteti Qarkor Vlorë-Mallakastër”. Periudha dhjetë ditore e aktivitetit të armikut Mehmet Shehu, zë 43 faqe nga 50 faqe që ka gjithë historiku. Në vazhdim të deklarimeve të tij, ky dëshmimtar shpjegon se demaskimi i qëllimeve të “Ballit Kombëtar” në mbledhjen e Romësit i atribuohet vetë Mehmet Shehut, kurse në të vërtetë Komiteti Qarkor i Vlorës kishte marrë të gjitha masat për të demaskuar krerët e Ballit Kombëtar në këtë mbledhje, etj etj.
Kështu, i pandehuri Duro Shehu, në deponimet e tij, veç të tjerave shpjegon se Idriz Seiti i ka thënë: “Mua më ka thënë Mehmet Shehu që kur u kthye nga jashtë shtetit në gusht të vitit 1942, një dokument të rëndësishëm që është një program… do të mundohem që ta shtjelloj përmbajtjen e këtij programi në këtë pjesë të historikut, ku ne jemi si anëtarë të komisionit”. I pandehuri Duro Shehu jep miratimin e tij duke i theksuar të pandehurit Idriz Seiti, “që ta bënte një gjë të tillë” (process verbal i datës 2.2.1983).

Edhe i pandehuri Qamil Mane, në datën 16.11.1982 ka deponuar veç të tjerave i pandehuri Idriz Seiti i ka thënë:”… këto fletë janë programi i qeverisë që Mehmet Shehu mendonte të krijonte në Shqipëri dhe ma dha mua që në vitin 1942, kur jemi takuar bashkë”. Pra këta tre të pandehur, të cilët kanë ruajtur dhe kanë mësuar mbi përmbajtjen e skicë-programit të armikut Mehmet Shehu, që në vetvete është një platformë kundër revolucionare kanë shkrirë pikëpamjet e tij edhe në përmbajtjen e historikut të përpiluar prej tyre.

Këtë e vërteton veç historikut që administrohet si provë materiale edhe akti i ekspertëve, ku midis të tjerave thuhet se: “autorët nuk e përmendin direkt skicë-programin politik të Mehmet Shehut, por duke u ndalur Duro Shehu ka kryer edhe krimin e kontrabandës me përpjestime të mëdha në shumën krime këto të nga nenet 53-13 Të Kodit Penal.

Akt-akuza u përpilua sot më datën 13.10.1983.

Hetuesit M. L. O. M. B. D.

Kjo akakuzë u miratua edhe nga prokurori i Kolegjit të Gjykatës së Lartë dhe Kryetari i kësaj Gjykate, Aranit Çela.
Skicë-programi politik socialdemokrat i Mehmet Shehut, gusht 1942
Çlirimi i Shqipërisë nga zgjedha e huaj, duke dëbuar e duke shkatërruar të gjitha forcat fashiste mbi tokën shqiptare.

  •  Themelimi i shtetit të ri shqiptar, Republikë Popullore Shqiptare.

E pamvarshme nga çdo fuqi armike imperialiste dhe një Kushetutë Demokratike Revolucionare dhe transformimi revolucionar i të gjithë jetës ekonomike, shoqërore, arsimore dhe morale për t’i çelur popullit shqiptar rrugën e sigurtë të emancipimit, ekonomik e shoqëror të vërtetë dhe të kurdohershëm.

  •  Formimi i Qeverisë Popullore Revolucionare në të cilën duhet të përfaqësohen të gjitha shtresat shoqërore të interesuara për zbatimin e këtij programi: Kjo qeveri duhet:
  1. a) Të sigurojë zbatimin e plotë dhe të pagabueshëm të këtij programi
  2. b) Me politikën e saj të brendshme të bazohet në Kushtetutën e Re revolucionare dhe të sigurojë mbrojtjen e interesave të popullit nga çdo armik i tij.
  3. c) të Ndjek një politikë të jashtme e cila duhet të jetë një politikë paqeje me të gjithë popujt e tjerë. Një politikë e pamvarshme nga çdo fuqi e huaj armike imperialiste dhe një politikë Aleance të ngushtë dhe të sinqertë me Bashkimin Sovjetik
  • Krijimi i menjëhershëm i Milicisë Popullore të rregullt e cila duhet të jetë në gjendje të sigurojë me forcën e saj, mbrojtjen e popullit nga çdo qëllim a tentativë kundërrevolucionare të armikut të brendshëm e të jashtëm.
  •  Reformë e përgjithshme arsimore, për të çrrënjosur dhe ç’farosur çdo gjurmë të kulturës fashiste, duke futur arsimin politik në programin e përgjithshëm arsimor, në mënyrë që të lejohet populli të dalë nga errësira e analfabetizmit dhe të pajiset me një arsim revolucionar progresiv. Ndihmë materiale nga shteti për arsimin gratis të të gjithë atyre që e meritojnë. Monopolizimin shtetëror të gjithë shtypshkronjave dhe radiostacioneve.
  • Reformë shoqërore që t’i lejojë popullit që të gëzojë të gjitha Liritë Demokratike: lirinë e fjalës së shtypit, lirinë e partive me karakter demokratik, lirinë e grevës etj. Vënia në zbatim e të drejtës së votimit të përgjithshëm (universale) të barabartë, të drejtë dhe sekret, duke qenë votues çdo nënshtetas shqiptar që ka mbushur moshën 19 vjeç, emancipimi i gruas shqiptare, duke i lejuar kësaj të dalë nga errësira e burgut të jetës prapanike patriarkale dhe feudale dhe të ketë të drejta të barabarta me burrin në çdo sektor të jetës, private dhe kolektive, ekonomike dhe shoqërore.
  • Lirimi i përnjëhershëm i të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Amnisti e përgjithshme dhe e gjerë për të gjithë të burgosurit për faje komune. Anullimi i Kodit Penal dhe Civil fashist dhe rishqyrtimi i të gjitha rasteve të burgosurve për faje komune duke u bazuar në Kodin e Ri Penal e Civil.
  • Çkatërrimi i të gjitha mbeturinave dhe i gjurmëve të fashizmit mbi tokën shqiptare.
  1. a) Formimi i një burokracie të re demokratike, mbi gërmadhat e sistemit burokratik fashist
  2. b) Burgosia e përgjithshme e të gjitëh armiqve të popullit. c) Krijimi i gjyqit revolucionar të popullit për të gjykuar dhe për të dënuar publikisht të gjithë armiqtë e popullit.
  • Syprimimi i Parlamentit fashist shqiptar dhe mbledhja e Parlamentit të ri shqiptar i përbërë nga përfaqësuesit e popullit të zgjedhur me votim të përgjithshëm (universal) të barabartë, të drejtpërdrejtë duke qenë votues çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 19 vjeç.
  • Konfiskimi dhe shtetëzimi i të gjitha pasurive të tundëshme dhe të patundëshme të armikut të huaj mbi tokën shqiptare. Anullimi i të gjitha borxheve shtetërore të huaja. Konfiskimi dhe shtetëzimi i të gjitha pasurive të tundëshme dhe të patundëshme të gjithë armiqve të brendshëm të popullit, të cilët gjatë sundimit zogist dhe fashist në Shqipëri kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti ose tërthorazi për ta mbajtur popullin shqiptar nën zgjedhën e fashizmit.
  • Shtetëzimi i të gjithë tokës shqiptare të punuar dhe papunuar, duke ndaluar shitblerjen e tokës. 10) Zbatimi i plotë i reformës agrare, në çpronësimin e bejlerëve dhe të pasurve të mëdhenj të tokavet pa asnjë shpërblim dhe me ndarjen e përgjithshme dhe gratis të pjesës më të madhe të këtyre tokavet katundarëve të vobekët. (Për ata bejlerë dhe pronarë të mëdhenj tokash që do të kenë bashkëpunuar me popullin për çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj, reforma nuk do të zbatohet plotësisht).
  • Ndihmë materiale nga ana e shtetit për kolektivizimin bujqësor vullnetar, paushtruar asnjë preson ose detyrim mbi katundarin (ndihmë me mjete bujqësore, kafshë të racës, farëra të zgjedhura, kredi me kondita të favorshme, zbritje taksash etj. Krijimi i fermave model shtetëror, krijimi i kooperatiave shtetërore etj.
  • Suprimimi i të gjitha bankave private dhe krijimi i bankës shtetërore, për t’i çelur kredi popullit me kondita shumë të favorshme.
  • Marrje masash të përgjithshme ekonomike nga ana e shtetit, duke pasur për qëllim respektimin e pasurisë në duart e një pakice personash, për të çliruar popullin nga kthetrat e uzurës (fajdesë) njëherë e përgjithmonë dhe për të çliruar popullin nga kthetrat e uzurës (fajdesë) njëherë e përgjithmonë dhe për t’i çelur popullit rrugën e vërtetë të emancipimit ekonomik dhe të mirëqenies së kurdohershme.
  • Zbatimi 8 (tetë) orë punë në ditë.
  • Respekt dhe garanci mbrojtje nga shteti i ndjenjave shpirtërore të popullit: Fesë dhe zakoneve. Ushtrimi fetar do të konsiderohet një ushtrim i lirisë, vullnetar, personal, çdo fetar duke pasur të drejta dhe detyra të barabarta me të gjithë shtetasit e tjerë shqiptarë.
  • Sigurimi nga ana e shtetit të industrializimit të vendit, bonifikimit etj.
  • Sigurimi nga ana e shtetit (Propjestarëve) mbrojtjen e të gjithë jetës së punëtorëve, e pensionit, e lejes së paguar, gjymtimit, shërimit nga shteti etj.
  • Kujdesi nga ana e shtetit për zhvillimin mendor, fizik dhe moral të rinisë.
  • Rishqyrtimi i problemeve të minoriteteve duke zgjidhur këtë problem me rëndësi paqësisht simbas principit të respektit, të së drejtës së vetë pohimit të popujve./Memorie.al
Nesti-Kerenxhi-Drejtor-i-Sigurimit-te-Shtetit-dhe-Zv-Minister-i-Brendshem-se-bashku-me-Byrone-Politike-duke-folur-per-miqesine-shqiptaro-jugosllave.-Tirane-1948-1
Mehmet-Shehu-Simon-Stefani-Raqi-Iftica-Rexhep-Kolli-Nazar-Berberi-Xhule-Çiraku-se-bashku-me-nje-grup-kufitaresh-1980..bmp
mehmet-shehu-ramiz-alia
Mehmet-Shehu-dhe-Tuk-Jakova-komandanti-dhe-komisari-i-Brigades-se-I-ne-Vithkuq.-1943
MEHMET_SHEHU_ENVER_DOLLI