Pavarësisht presionit ndërkombëtar për të anuluar marrëveshjet për shkak të luftës në Gaza, shitjet vjetore të armëve nga Izraeli kanë arritur një rekord të ri në vitin 2024.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Mbrojtjes së Izraelit, The Times of Israel, raporton se shitjet e armëve nga Izraeli – gjysma, sisteme të mbrojtjes ajrore – janë dyfishuar në krahasim me pesë vite më parë.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes, e njohur si SIBAT, ka raportuar se eksportet ushtarake kanë arritur në pothuajse 14.8 miliardë dollarë vitin e kaluar, krahasuar me 13 miliardë dollarë në vitin 2023 – rekordi i mëparshëm. Ndërsa, në vitet 2018-2020 ky numër varionte midis 7.5 dhe 8.5 miliardë dollarësh.
Edhe pse zyrtarët e ministries kanë shprehur shqetësime se disa qeveri, sidomos në Evropën Perëndimore, kanë filluar të anulojnë marrëveshje armësh me Izraelin ose të vendosin sanksione ndaj kompanive izraelite të mbrojtjes për shkak të luftës në Rripin e Gazës, numri i marrëveshjeve për shitjen e armëve ka vazhduar të rritet.
“Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë dhe viti i katërt me radhë që vendoset një rekord i ri për eksportet e mbrojtjes së Izraelit,” ka thënë ministria.
Ministria ka shtuar se për këto shitje rekord, kanë ndihmuar “sukseset operacionale të paprecedenta, së bashku me përvojën luftarake që morën produktet izraelite gjatë luftës.”
Është bërë e ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore, raketat dhe predhat përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve.
Zyrtarët nuk kanë specifikuar se cilat shtete kanë blerë më së shumti, megjithatë, është bërë e ditur se blerësi ma i madh në 2024 ishte Evropa me 54% të totalit të eksporteve, e ndjekur nga rajoni Azi-Paqësor me 23%.
Në të dhëna të tjera është bërë e ditur se Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku – të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020 përmes Marrëveshjeve të Abrahamit – përbënin 12% të blerjeve të armëve, Amerika e Veriut përbënte 9%, Amerika Latine 1%, dhe Afrika 1%.
Sipas ministrisë, 56.8% e eksporteve ishin marrëveshje me vlerë mbi 100 milionë dollarë.
aaaaa