Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban - Gazeta Express
string(55) "izraeli-synon-te-zgjeroje-operacionin-ushtarak-ne-liban"

Lajme

Gazeta Express

23/03/2026 10:39

Izraeli synon të zgjerojë operacionin ushtarak në Liban

Lajme

Gazeta Express

23/03/2026 10:39

Sipas ushtrisë izraelite operacionet kundër Hezbollahut në Liban “sapo kanë filluar”. Ministri i Mbrojtjes, Katz, madje bën krahasime me Gazën. Presidenti libanez, Aoun, është i alarmuar.

Që nga fillimi i luftës me Iranin është përshkallëzuar ndjeshëm edhe konflikti midis Izraelit dhe milicisë Hezbollah, të financuar nga Irani. Hezbollahu vazhdon të qëllojë me raketa nga Libani drejt Izraelit, ndërsa ushtria izraelite është përgjigjur me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore. Tani Izraeli synon ta zgjerojë më tej këtë ofensivë. “Operacioni kundër organizatës terroriste Hezbollah sapo ka filluar”, deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ejal Zamir. Ai theksoi se bëhet fjalë për një “operacion afatgjatë” dhe se ushtria po përgatitet të forcojë sulmet tokësore dhe goditjet sipas një plani të përcaktuar.

Zamir shtoi se Izraeli ka arritur tashmë “suksese të rëndësishme” javët e fundit: janë goditur më shumë se 2.000 objektiva, janë shkatërruar dhjetëra depo armësh dhe janë vrarë qindra luftëtarë. Ai theksoi: “Nuk do të ndalemi derisa kërcënimi nga kufiri të zhduket dhe të garantohet siguri afatgjatë për banorët e veriut të Izraelit.”

Shkatërrimi i urave 

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se ushtria është urdhëruar të “shkatërrojë menjëherë të gjitha urat mbi lumin Litani, të cilat përdoren për aktivitete terroriste”. Qëllimi është të izolohet jugu i Libanitnga pjesa tjetër e vendit dhe të pengohet Hezbollahu të transportojë përforcime dhe armë. Vetëm pak orë pas kësaj deklarate ushtria izraelite shkatërroi një urë të rëndësishme që lidhte jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit.

Lumi Litani prej kohësh në fokus

Lumi Litani ka rëndësi të veçantë në përpjekjet e Izraelit për të dobësuar Hezbollahun. Ai ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin. Qeveria libaneze kishte urdhëruar ushtrinë që deri në fund të vitit 2025 të shkatërronte infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut në jug të këtij lumi dhe më pas ta çarmatoste milicinë në gjithë vendin. Sipas Izraelit, kjo nuk është zbatuar në mënyrë të mjaftueshme, prandaj edhe sulmet janë intensifikuar.

Paralajmërim për “përshkallëzim të rrezikshëm”

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, reagoi i alarmuar ndaj valës së re të sulmeve izraelite. Ai i quajti sulmet ndaj urave një “përshkallëzim të rrezikshëm” dhe një “paralajmërim për një pushtim nga toka”. Aoun dënoi “shkatërrimin e infrastrukturës dhe të objekteve me rëndësi jetike në jug të Libanit” dhe i cilësoi sulmet izraelite si “shkelje flagrante të sovranitetit të Libanit.” /DW

Advertisement
Advertisement
Advertisement