Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant – i mbështetur nga Irani – mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.
Izraeli tha se, “në përgjigje të sulmeve me predha nga Hezbollahu ndaj shtetit izraelit”, forcat e tij “kanë filluar të godasin objektiva të organizatës terroriste Hezbollah në të gjithë Libanin”.
Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit – bastion i Hezbollahut.

Një ditë më herët, Hezbollahu – grup militant shiit që prej kohësh konsiderohet aleat i Iranit – shprehu solidaritet me Teheranin pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit, por la të kuptohej se nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në konflikt.
Por, në një deklaratë, Hezbollahu përmendi vrasjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, si një nga arsyet për vendimin e tij për të nisur një sulm të ri.
Grupi tha se ka nisur “një breshëri raketash dhe një valë dronësh… në hakmarrje për gjakun e pastër të Ajatollah Imam Sayyid Ali Al-Husseini Khameneit… dhe në mbrojtje të Libanit dhe popullit të tij”.