Qeveria izraelite po harton plane për të ndaluar Greta Thunberg nën akuza të ashpra, të ngjashme me ato për të dyshuarit për terrorizëm, pasi aktivistja suedeze për klimën sëbashku me të tjerë u bashkua me flotiljen më të madhe deri më tani me destinacion Gazën.
Por “New York Times” shkruan se ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, pritet t’i paraqesë kryeministrit Benjamin Netanyahu një plan për ndalimin e aktivistëve në kushte të rënda, “si për terroristët”, në qendra paraburgimi.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, kërkon gjithashtu sekuestrimin e anijeve të tyre për t’i përdorur për operacione policore detare.
“Pas disa javësh… do të pendohen që kanë ardhur këtu,” thanë burimet për gazetën “Israel Hayom”. “Duhet t’ua shuajmë dëshirën për një tjetër përpjekje të tillë.”
Thunberg u nis nga Barcelona të dielën si pjesë e asaj që aktivistët e kanë quajtur “misioni më i madh i solidaritetit” në histori, duke sjellë ndihma humanitare për Gazën. Një pjesë e ndihmave u ngarkua në anijet që u nisën nga Genova të dielën, ndërsa pjesa tjetër do të dërgohet në portin sicilian të Katanies, nga ku pritet të nisen anije të tjera për në Gaza të enjten.
Thunberg tha para nisjes se qëllimi i misionit të saj është “të ndihmojmë civilët në Gaza dhe të hapim një korridor humanitar”. Ajo e mohoi se aktivizmi i saj është antisemit, duke deklaruar se “nuk është urrejtje ndaj hebrenjve të thuash se të gjithë meritojnë të jetojnë me liri dhe dinjitet.”
Ky veprim vjen pas një incidenti në qershor, kur Thunberg dhe 11 aktivistë të tjerë u ndaluan nga marina izraelite pasi hynë në ujërat pranë Gazës. Ata u shoqëruan në portin e Ashdodit, por sipas autoriteteve izraelite, refuzuan të shikonin pamje nga sulmet e Hamasit më 7 tetor.