Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz e ka urdhëruar ushtrinë që të mos lejojë anijen në të cilën gjendet aktivistja Greta Thunberg dhe aktivistë tjerë, që të hyjnë në Rripin e Gazës.
“Izraeli nuk do të lejojë askënd që të thyejë bllokadën detare të Rripit të Gazës”, ka thënë Katz përmes një deklarate në rrjetin social X.
Ai ka thënë se i ka urdhëruar forcat e armatosura që të parandalojnë ankorimin e anijes Madleen të Koalicionit Freedom Flotilla.
Duke iu drejtuar Thunbergut dhe 11 aktivistëve tjerë në bord, Katz ka thënë: “Ju duhet të ktheheni mbrapsht, sepse nuk do të arrini në Gazë”.
Ministri i Mbrojtjes e ka përshkruar ekipin në anije si “aktivistë të ekstremit të majtë”.
Ai e ka përmendur se bllokada detare në Gazë është vendosur më 2007, kur grupi palestinez Hamas – i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – është ngjitur në pushtet, dhe përmes saj synohet të parandalohet furnizimi i grupit me armë.
Koalicioni Freedom Flotilla ka thënë se dëshiron të dërgojë ndihma për foshnjat dhe pajisje mjekësore për banorët e Gazës, dhe e ka përsëritur disa herë se nuk ka armë në bord.
Aktivistët synojnë edhe të ndërgjegjësojnë botën për situatën humanitare në Gazë.
Anija Madleen është nisur nga Sicilia një javë më parë dhe pritet të arrijë në brigje të Gazës të hënën.
Të dielën pasdite, anija ka qenë më pak se 300 kilometra larg destinacionit. Në disa video të publikuara në Instagram, grupi e ka akuzuar Izraelin se i ka zhurmuar pajisjet e komunikimeve, në mënyrë që të monitorojë anijen, apo edhe të përgatisë ndonjë sulm. /REL
aaaaa