Izraeli dhe Evropa: Vlera të Përbashkëta dhe Kërcënime të Përbashkëta - Gazeta Express
string(68) "izraeli-dhe-evropa-vlera-te-perbashketa-dhe-kercenime-te-perbashketa"

OP/ED

Gazeta Express

04/07/2025 19:49

Izraeli dhe Evropa: Vlera të Përbashkëta dhe Kërcënime të Përbashkëta

OP/ED

Gazeta Express

04/07/2025 19:49

Shkruan: Tamar Ziv

Kur Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi më 17 qershor se “Izraeli po bën punën e pistë për të gjithë ne […] Ky regjim i Mullahëve ka sjellë vdekje dhe shkatërrim mbi botën”, ai artikuloi një të vërtetë thelbësore që nuk mund të shpërfillet më. Pranimi i tij se regjimi teokratik i Iranit “ka sjellë vdekje dhe shkatërrim në botë” nuk pasqyron njëanshmëri rajonale, por qartësi strategjike në lidhje me kërcënimet që përballon bota e lirë.

Konflikti në Lindjen e Mesme nuk është thjesht një mosmarrëveshje rajonale e largët. Regjimi radikal islamist i Iranit e refuzon hapur parimet demokratike, tolerancën fetare dhe liritë individuale. Republika Islamike e Iranit ka ndërtuar sistematikisht një rrjet të përfaqësuesve terroristë, të kombinuar me raketa ndërkontinentale që mund të godasin qytetet evropiane. Nga arsenali i sofistikuar i Hezbollahut, te rrjetet e tuneleve të Hamasit, nga sulmet detare të Houthive te qelizat terroriste pjesërisht joaktive në të gjitha kontinentet — kjo paraqet një sfidë të koordinuar ndaj paqes globale. Synimi i Iranit për të zotëruar armë bërthamore dhe raketa balistike nuk është një masë mbrojtëse, por një mjet frikësimi i menduar për të nënshtruar qeveritë evropiane. Ky regjim e sheh Evropën si një objektiv legjitim për nënshtrim të ardhshëm, duke e kthyer këtë në një sfidë ekzistenciale që tejkalon kufijtë e Lindjes së Mesme.

Historia na jep mësime të qarta për përballjen me agresorë të shtyrë nga ideologjia. Çarmatimi i vërtetë dhe paqja e qëndrueshme rrallëherë arrihen përmes pajtimit me kërcënime që rriten. Përkundrazi, rezistenca e vendosur ndaj agresionit shpesh përbën parakushtin e nevojshëm për stabilitet. Evropa e mësoi këtë mësim me dhimbje në vitet 1930, dhe dinamika të ngjashme janë të pranishme edhe sot përballë ideologjisë ekspansioniste të Iranit.

Përpjekjet e Izraelit, së bashku me ato të Shteteve të Bashkuara, kanë ndërprerë ndjeshëm progresin e Iranit drejt programit bërthamor dhe atij të raketave balistike. Kjo përfaqëson një kontribut kritik ndaj sigurisë globale, që i shërben të gjithë botës së lirë. Pengesat e Iranit krijojnë hapësirë për botën perëndimore të forcojë mbrojtjen e vet dhe të rishikojë prioritetet strategjike.

Rruga përpara kërkon guximin për të emërtuar qartë armiqtë. Lëvizjet radikale islamiste, të udhëhequra nga regjimi teokratik i Iranit, përbëjnë një kërcënim global që kërkon të njëjtën vendosmëri që treguan gjeneratat e kaluara kundër totalitarizmit fashist dhe atij komunist. Kjo nuk ka të bëjë me paragjykime fetare, por me përballjen me një ideologji të caktuar politike që synon të shkatërrojë shoqëritë demokratike.

Një Lindje e Mesme e qëndrueshme, e aftë të kalojë nga konfrontimi në bashkëpunim, nuk është thjesht një aspiratë rajonale, por një domosdoshmëri strategjike për botën e lirë. Mbështetja e përpjekjeve për të parandaluar bërthamorizimin e Iranit, për të kufizuar programin e tij raketor dhe për të dobësuar rrjetet e përfaqësuesve, përputhet drejtpërdrejt me interesat e sigurisë evropiane, qëndrueshmërinë ekonomike dhe vlerat themelore.

Lufta është larg përfundimit. Irani do të përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij dhe të vazhdojë aktivitetet destabilizuese. Edhe grupet e dobësuara si Hamasi vazhdojnë të përparësojnë agjendat e tyre shkatërruese përpara mirëqenies së popullit palestinez, duke mbajtur pengje dhe duke e mbajtur Gazën si fushëbetejë. Vuajtjet e si të banorëve të Gazës ashtu edhe të Izraelitëve, mund të marrin fund menjëherë nëse Hamasi do të lironte pengjet, të dorëzonte armët dhe të ndalte luftën që vetë e nisi.

Për Evropën, ruajtja e busullës së saj morale do të thotë të bëjë dallimin midis partnerëve të vërtetë dhe armiqve të përbashkët. Dialogu dhe bashkëpunimi mbeten thelbësorë me aleatët demokratikë si Izraeli, ndërsa qëndrimet e forta dhe të qëndrueshme duhet të mbahen kundër aktorëve xhihadistë islamistë, që kërcënojnë paqen. Në vijim, Evropa duhet të përqafojë politika që fuqizojnë miqtë dhe përballen në mënyrë strategjike me kundërshtarët. Kjo qasje përfaqëson rrugën më premtuese drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në një rajon jetik për të ardhmen e saj.