Izmaku: Nëse propozohet emri i Limajt, të hënën mund të konstituohet Kuvendi - Gazeta Express
string(74) "izmaku-nese-propozohet-emri-i-limajt-te-henen-mund-te-konstituohet-kuvendi"

Gazeta Express

18/07/2025 18:36

Izmaku: Nëse propozohet emri i Limajt, të hënën mund të konstituohet Kuvendi

Gazeta Express

18/07/2025 18:36

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Famir Limaj dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, do të zhvillohet në pasditen e së shtunës, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e re për konstituim të Kuvendit do të mbahet të shtunën në orën 11:00. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Ne qëndrojmë me kërkesën tonë – që mendojmë se është e arsyeshme – për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Votat i kemi. Nëse propozohet emri i Fatmir Limajt, atëherë të hënën mund të konstituohet Kuvendi”, ka thënë Izmaku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, deri më tani nuk ka ndonjë sinjal të qartë nga Lëvizja Vetëvendosje se mund të arrihet një marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, por “ekziston një ambient pozitiv”.

“Por, nuk mund të them se si do të jetë vendimmarrja. Situata është e paparashikueshme”, ka thënë mes tjerash ajo.

Më herët gjatë ditës, Limaj është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

Kush sa vota i ka?

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.