Izet Mexhiti: Raportet e RMV-së me Kosovën e Shqipërinë, duhet të jenë të forta dhe mbi interesat partiake - Gazeta Express
string(104) "izet-mexhiti-raportet-e-rmv-se-me-kosoven-e-shqiperine-duhet-te-jene-te-forta-dhe-mbi-interesat-partiake"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 14:13

Izet Mexhiti: Raportet e RMV-së me Kosovën e Shqipërinë, duhet të jenë të forta dhe mbi interesat partiake

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 14:13

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar të komunës së Çairit në zgjedhjet vendore që do të mbahen së shpejti në vendin fqinj.

Në një lidhje direkte për Euronews Albania, ai shprehu bindjen se do të dalë fitues, duke u mbështetur në përvojën e mëparshme dhe në sondazhet aktuale.

“Po, do të jem kandidat për komunën e Çairit si përfaqësues i koalicionit VLEN. Kam shërbyer për tre mandate si kryetar i kësaj komune dhe pas një analize brenda partisë, vendosëm që të rikthehem në garë,” deklaroi Mexhiti.

“Jam shumë optimist për fitoren, pasi sondazhet janë në favorin tonë dhe qytetarët kanë treguar besim ndaj meje edhe në të kaluarën,” shtoi ai.

Raportet me Shqipërinë dhe Kosovën

I pyetur mbi marrëdhëniet me udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës, Mexhiti u shpreh se raportet duhet të jenë të forta dhe mbi interesat partiake.

“Ne duam marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë dhe Kosovën. Ato duhet të kujdesen për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, jo të merren me ngjyrime politike dhe interesa të ditës,” tha ai.

Mexhiti theksoi gjithashtu se VLEN është “përtej të majtës dhe të djathtës”, duke shtuar se vizitën e parë zyrtare si zëvendëskryeministër e ka zhvilluar në Tiranë.

Duke komentuar marrëdhënien me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, Mexhiti tha se janë në partneritet, por la të hapur derën për bashkëpunim më të ngushtë edhe me Tiranën zyrtare.

“Me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin kemi partneritet, por jemi të hapur për bashkëpunim edhe me qeverinë e Shqipërisë, sepse për ne rëndësi ka interesi kombëtar, jo ai partiak,” u shpreh ai.

“VLEN është forca që sot përfaqëson më së miri interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” theksoi ai, duke shtuar se shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar “bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të ndërsjellë me Shqipërinë.”