Përjashtim i bujshëm për Marcelo Moreno Martins.
Legjenda e Kombëtares së Bolivisë, i cili u rikthye në fushë në shkurt pas tërheqjes në vitin 2024 për të provuar ta ndihmojë kombëtaren drejt kualifikimit në Botërorin 2026 përmes “play-off”-it, nuk është ftuar nga trajneri Óscar Villegas për ndeshjen kundër Surinames, e vlefshme për gjysmëfinalen e mini-turneut që do ta vendosë kualifikimin e mundshëm.
Një vendim që e ka habitur lojtarin dhe ka ndezur polemika në vend, shkruan “Gazeta Express”.
Villegas kishte lënë të kuptohej edhe në ditët e fundit se Martins kishte nevojë për më shumë minuta në fushë për t’u vlerësuar si duhet.
“Nëse më pyesni për Marcelo Martins, për momentin nuk është i ftuar për ndeshjen”, kishte deklaruar trajneri, duke e konfirmuar më pas mungesën në listën zyrtare të publikuar të hënën.
Trajneri shpjegoi se minutat e pakta të sulmuesit me klubin bolivian Oriente Petrolero, ku Martins u rikthye në shkurt 2026, nuk janë të mjaftueshëm për një vlerësim të plotë.
“Duhet ta shohim të luajë 90 minuta dhe në një nivel shumë të lartë”, shtoi ai.
I lindur në vitin 1987, Martins e kishte veshur fanellën e Bolivisë nga viti 2007 deri në 2023, duke u tërhequr më pas në vitin 2024 pas një periudhe të shkurtër te Cruzeiro EC pa luajtur asnjë ndeshje.
Rikthimi i tij ishte motivuar pikërisht nga mundësia për të marrë pjesë në Kupën e Botës, por koha për ta bindur trajnerin duket se ka qenë shumë e shkurtër.
Mos-ftesa ka shkaktuar reagime edhe në rrjetet sociale.
Vëllai i tij, Marlon Martins, publikoi një mesazh surprizë: “Vamos Suriname”, një mbështetje e qartë për ekipin që do të përballet me Bolivinë dhe një shenjë e habisë dhe zhgënjimit për përjashtimin e Marcelos.
Situata e ka hapur një debat të madh në Bolivi rreth vendimit të trajnerit dhe rolit që mund të kishte ende një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e Kombëtares. /Gazeta Express
Rrjeti i pikave të Shell në Kosovë ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, pas kalimit në pronësi...