Gjykata e Trevisos në Itali ka dhënë dënimin më të rëndë ndaj Bujar Fandajt, 40-vjeçarit nga Kosova, i cili e pranoi se kishte vrarë ish-të dashurën e tij Vanesa Ballan. Viktima, 26-vjeçare, ishte shtatzënë dhe nënë e një fëmije tjetër në momentin e vrasjes.
Krimi ndodhi më 19 dhjetor 2023 në Riese Pio X, një komunë në provincën e Trevisos. Sipas hetimeve, Fandaj hyri me forcë në banesën e saj, duke thyer një dritare, dhe e goditi tetë herë me thikë. Trupi i pajetë i Vanesës u gjet nga partneri i saj, babai i fëmijës që ajo priste, transmeton albinfo.ch.
Në sallën e gjyqit kishte emocione të forta kur u shqiptua vendimi. Prindërit e Vanesës shpërthyen në lot dhe deklaruan:
“Drejtësia u vu në vend, por mallkimi do ju ndjekë gjithë jetën.”
Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm, të cilin gjykata e miratoi pas dy orësh seancë. Fandaj, i cili u mbrojt nga avokatet Chiara Mazzocato dhe Daria Bissoli, u rikthye menjëherë në burg.
Hetimet treguan se autori dhe viktima kishin pasur një lidhje romantike që kishte përfunduar gjatë verës së vitit 2023, me kërkesë të Vanesës. Dyshohet se Fandaj nuk e kishte pranuar ndarjen dhe e kreu vrasjen nga xhelozia dhe hakmarrja.
Pas krimit, ai tentoi të largohej nga Italia, por u arrestua disa orë më vonë në banesën e tij. Në fillim e pranoi vrasjen, por më vonë tentoi të mohojë që kishte planifikuar gjithçka.