Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka deklaruar se sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 2023, është organizuar dhe mbështetur nga shteti serb.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se personat që morën pjesë në këtë sulm ishin të trajnuar në kazerma ushtarake në Serbi.
“Nga ajo që ne kemi pa, njerëz që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës, kanë qenë të stërvitur në kazerma ushtarake në Serbi dhe kjo është dëshmi se ky sulm ka qenë i mirë planifikuar nga autoritetet serbe. Nuk ka pasur asnjë mundësi që një sulm i përmasave të tilla të realizohet pa qenë mbrapa institucionet e shtetit serb” – deklaroi ai në emisionin “KallxoPërnime”.
Ai u pyet nga Kreshnik Gashi nëse do të ketë aktakuza edhe ndaj komandantëve të shtetit serb.
“Për të gjithë ata që ne sigurojmë informacione, ne do të ngremë aktakuza, por nuk mund të flas më shumë tash”- u përgjigj shkurt.
Po ashtu, Isufaj shprehu dyshim të thellë ndaj pretendimeve të institucionave serbe se po zhvillojnë hetime për sulmin.
“Nuk i besoj fare këtij pretendimi të institucioneve të Serbisë. Ata po të donin, Banjska nuk do të realizohej. E kam bindjen e plotë se ata qëndrojnë prapa sulmit në Banjskë. Fakti se Milan Radoiçiqi ka deklaru publikisht se e ka organizu Banjskën dhe ai tash qëndron në Serbi, a ka argument më të madh se pas kësaj qëndron shteti serb. Sikur ata të ishin korrekt, do ta dorëzonin tek ne, sepse rasti ka ndodhur në Kosovë. Ne jemi kompetent”- tha ai.
Në fund, ai theksoi se bashkëpunimi institucional me Serbinë është minimal deri në mos-ekzistencë:
“Nuk besoj kurrë, është problem politik, kjo nuk diskutohet. Asnjë informacion shteti serb nuk e shkëmben me ne. Nuk e di përmes EULEX-it, por e di se ata kohë pas kohe kanë bërë kërkesa dhe ju kanë drejtuar Prokurorisë Speciale me logo si krahina, pjesa e Serbisë, dhe natyrisht ne nuk ju kemi përgjigjur”- përfundoi kryeprokurori.
Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024 nga Prokuroria Speciale e Kosovës.