Sekretari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë që kjo parti ka vendosur që në zgjedhjet e 14 shkurtit të garojë e vetme si subjekt politik, pra pa koalicione parazgjedhore.
“Ne e kemi konsideruar që do ta ruajmë identitetin tonë si PDK, kemi një shtrirje gjithandej dhe kemi një kandidat kompetent. Sepse kemi pasë problem sepse njerëzit janë mësuar ta shohin PDK-në si të tillë”.
Ismaili në Klan Kosova, ka thënë që një koalicion me NISMA-n, po ashtu nuk do të jetë i mundur.
“Fatmir Limaj ka qenë një kohë figurë e PDK-së, por rruga politike është ndarë herët nga ai me vullnet të plotë. PAN-i ka qenë një bashkim i forcave politike, që ne sot e konsiderojmë që nuk i ka kontribuar identitetit të PDK-së”.
“Ne e kemi treguar përgjigjen e PDK-së që do të garojmë të vetëm në këto zgjedhje, në këtë garë politike dhe çfarëdolloj mundësie tjetër nuk është lënë e hapur, as nga ne dhe as nga Limaj. Nuk besoj që ka një mundësi të tillë”, u shpreh Ismaili.